Në duar po mban çmimin kryesor.
Këtë të premte, Arta Gashi Ahmetaj rrëmbeu çmimin e mësuesit të vitit në Kosovë.
Për të, ky çmim është një nder i veçantë.
“Ky çmim për mu ka shumë rëndësi, e para duke pasur parasysh anën pedagogjike të çdo mësimdhënësi dhe anën profesionale dhe përgatitjet e saj dhe pastaj kur të vlerësohet të bën që me qenë një çmim edhe ajo që të bën ty mu ndje shumë e lumtur dhe e nderuar”, deklaroi Gashi-Ahmetaj nga Shkolla “Ymer Zeka” në Istog.
Nën emocione, mësimdhënësja e lëndës së Fizikës në komunën e Istogut thotë se këtë arritje ia dedikon nënës së saj të ndjerë.
“Këtë çmim nga zemra ia dedikoj nënës time të ndjerë e që falë saj pra kam arritur gjitha synimet deri më tani ku jam. Është viti i 15 që punoj në arsim, ana e përzgjedhjes së këtij drejtimi ka qenë qysh nga klasa e 6”.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe zëvëndësministri i Arsimit, Perparim Kryeziu, i cili tregoi rëndësinë e këtij çmimi dhe emrit që mban.
“Këto ditë teksa po shënojmë Epopenë e UÇK-së, ngjarja e lavdishme e historisë sonë, e familjes Jashari, prapa tyre qëndron edhe mësuesi që edukoi e kultivoi ndër vite frymën patriotike, mësuesi Shaban Jashari. Ai është shembull se si roli i mësimdhënësit ka qenë më i madh se sa vetë dhënia e dijes, ka qenë edukim ndër breza për dashurinë ndaj vendit, gjuhës dhe kulturës”, deklaroi Kryeziu.
Mirënjohje u ndanë edhe për mësuesit më të dalluar nga gjitha qytetet e Kosovës, teksa u vlerësua kontributi i tyre në zhvillimin e shoqërisë.





