Në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, mbetet ende e paqartë nëse institucionet do të arrijnë një marrëveshje apo nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja.
Në këtë situatë, sipas njohësit të çështjeve zgjedhore nga Instituti Demokratik i Kosovës, Eugen Cakolli, institucionet duhet të sigurohen që të paktën përgatitjet për zgjedhje të mos vihen në pikëpyetje.
Cakolli thekson se një nga çështjet kryesore është qartësia për përbërjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, i cili lidhet drejtpërdrejt me ciklin zgjedhor dhe duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Sipas tij, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve më 9 shkurt, ligji përcakton një procedurë deri në 42 ditë për emërimin e anëtarëve të rinj të KQZ-së, në përputhje me përbërjen e re të Kuvendit. Në këtë proces, Vjosa Osmani ka pasur 30 ditë afat – që skadon më 11 mars – për t’u kërkuar partive parlamentare që të dorëzojnë nominimet e tyre për anëtarë.
Më pas, partitë kanë një javë kohë për të propozuar emrat, ndërsa emërimi i tyre bëhet nga Presidentja brenda pesë ditëve.
Megjithatë, Cakolli paralajmëron se grupet parlamentare që kanë të drejtë propozimi ekzistojnë vetëm për sa kohë që Kuvendi është në mandat dhe nuk janë shpallur zgjedhjet e reja. Duke pasur parasysh se skenari i zgjedhjeve të parakohshme po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, ai vlerëson se afati ligjor për emërimin e përbërjes së re të KQZ-së tashmë është shumë i kufizuar.
Ai shton se situata bëhet edhe më e ndërlikuar për shkak se ligji aktual nuk parasheh vazhdimin automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e anëtarëve të rinj, siç ishte e përcaktuar në ligjin e mëparshëm.
Sipas Cakollit, në një moment kur zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme, nisja dhe përfundimi i kësaj procedure brenda afateve ligjore është thelbësore për të shmangur çdo vakum institucional në administrimin e zgjedhjeve.
“Kjo bëhet edhe më problematike për shkak se ligji aktual nuk parasheh më vazhdim automatik të mandatit të përbërjes ekzistuese të KQZ-së deri në emërimin e së resë, siç përcaktohej me ligjin e vjetër. Prandaj, në një moment kur zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme, nisja dhe përmbyllja e kësaj procedure brenda afateve ligjore është thelbësore për të shmangur çdo vakum institucional në administrimin e zgjedhjeve”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.







