Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës. Deri më tani është propozuar vetëm një kandidat për president, ai është Glauk Konjufca.
Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën si kandidat për postin e presidentit, duke argumentuar përvojën e tij institucionale dhe mbështetjen e lartë nga qytetarët.
Sipas LVV-së, takimet me partitë opozitare nuk dhanë rezultat, ndërsa disa emra të propozuar nga vetë LVV-ja u refuzuan. Kjo parti ka bërë thirrje për dialog politik dhe ka ofruar mbështetje për sigurimin e nënshkrimeve të kandidatëve të tjerë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se deri tani ka pranuar vetëm një kandidaturë dhe se nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e Presidentit pa të paktën dy kandidatë me nga 30 nënshkrime secili.
Ajo u bëri thirrje deputetëve të shqyrtojnë mundësinë e një kandidature tjetër, për të mundësuar zhvillimin e procesit në përputhje me Kushtetutën dhe për të shmangur zgjedhjet e reja
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tha se kjo parti i kishte ofruar 30 nënshkrime për Presidenten Vjosa Osmani, edhe për një mandat.
Presidenca e Kosovës e ka mohuar se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i kishte ofruar mbështetje presidentes Vjosa Osmani për të garuar për një mandat të dytë në krye të shtetit, duke ia siguruar nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë.
Shefja e stafit të Osmanit, Learta Hollaj e quajti “gënjeshtër” deklaratën e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, se partia e saj ia kishte ofruar Osmanit 30 nënshkrimet e nevojshme për të garuar, por se ajo e kishte hedhur poshtë mundësinë.
“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si presidente e Kosovës”, shkroi në Facebook Hollaj.
Për reagimin e këshilltares Hollaj, u pyet gjatë konferencës Nagavci, por kjo e fundit nuk është përgjigjur se kur i janë ofruar nënshkrimet por tha se i garanton votat e Lëvizjes Vetëvendosje për Vjosa Osmanin.
“Unë sot i garantojë votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse flasim për nënshkrime të deputetëve. Nëse themi se nuk është e vërtetë. Sot jam e gatshme të garantojë në emër të Lëvizjes që do të ofrojë vota për të vazhduar në garë tutje”, tha Nagavci.
Hollaj, iu kundërpërgjigj sërish Nagavcit duke thënë se Osmanit nuk i janë ofruar vota për rizgjedhje, por kërkohej që ajo të bëhej kundërkandidate e Glauk Konjufcës vetëm “për formalitet”.
“Zonja Arbërie Nagavci, besoj se përvoja juaj parlamentare dhe politike është e mjaftueshme për të trajtuar këtë çështje me seriozitetin që kërkon pesha kushtetuese dhe interesi publik. Kjo nuk është thjesht një çështje aritmetike apo proceduriale, por prek thelbin e përgjegjësisë institucionale dhe respektimin e rendit kushtetues. Qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta,” shkroi Hollaj.
Ajo shtoi se qëllimi i Vetëvendosjes ishte vetëm të fajësonte opozitën për shkuarjen e vendit në zgjedhje.
“Nëse dikujt i thoni ‘eja, veç sa për formalitet, bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca’, pra vetëm për numër, dhe pastaj fajësojmë opozitën, ka më turp se kaq? Presidentes nuk i është ofruar asnjë votë për rizgjedhje, por i është kërkuar të bëhet vetëm formalitet dhe numër për manipulime të tilla. Nuk trajtojmë institucionet e shtetit ashtu!”
Pas propozimit të Konjufcës, dy partitë opozitare PDK dhe LDK kanë kritikuar LVV-në se po e çon vendin drejt një krize dhe zgjedhjeve të reja, të pestat në vend brenda një kohe të shkurtër.
PDK e ka cilësuar këtë veprim si shenjë të papërgjegjshmërisë dhe mosgatishmërisë për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse.
PDK kritikoi LVV-në për mungesë përgjegjësie dhe paaftësi për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke paralajmëruar se kjo qasje mund të çojë në polarizim dhe përqendrim të pushtetit te një parti e vetme.
PDK tha se ka qenë e gatshme të mbështesë një kandidat konsensual.
Ndërsa LDK ka theksuar se LVV trajton procesin si garë politike dhe jo përpjekje për konsensus. Sipas kësaj partie, propozimi i vetëm për Konjufcën nuk përfaqëson një përpjekje serioze për konsensus politik dhe nuk garanton stabilitet institucional.
LDK u shpreh se zgjedhja e Presidentit kërkon bashkëpunim të sinqertë, maturi dhe përgjegjësi politike.







