Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës së UÇK-së, Andin Hoti ka thënë se synon bashkëpunim dhe mbajtje “jashtë politikës” me të gjitha kategoritë e dala nga lufta.
Ai ka thënë se për këtë u ka dërguar ftesë për një takim të gjitha kategorive.
Hoti në një intervistë për emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1, ka thënë se shqetësimet e tyre do t’i ketë prioritet.
E një prej shqetësimeve të veteranëve ka qenë edhe ligji që atyre u kufizonte marrjen e pensionit të veteranit duke qenë në marrëdhënie pune.
Hoti ka thënë se këtë ligj do ta ndryshojë.
“I kam druga ftesë edhe OVL-UÇK-së edhe kategorive tjera të dala nga lufta. Javën tjetër i kam takimet disa veç e kanë konfirmuar. Shpresoj që të kem bashkëpunim të mirë me të gjitha shoqatat e dala nga lufta. Nuk tentoj dhe nuk ishte dashur, as ato e as unë të fusim politikën në mes nesh. Disa prej shqetësimeve të tyre siç ka qenë problemi i ligjit që ua ka kufizua të drejtën me marrë pension, kjo veç është realizua në një pjesë gjysmake, por ne do të vazhdojmë të punojmë, pres ndryshimin e ligjit në kudër të ligjeve që veç i kam adresua, që të ndryshohet ky projektligji dhe tu lejohet veteranëve që të marrin pensionin edhe ata që punojnë në sektorin publik”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se synim e ka trajtimin me dinjitet për këto kategori, ku edhe ka premtuar miratimin e Ligjit për Vlerat e Luftës Çlirimtare.
“Synimi është dinjiteti, është synim që të krijohet Ligji për vlerat e Luftës Çlirimtare, unë do ta iniciojë këtë ligj. Është kërkesë edhe prej shumë kategorive të luftës”, është shprehur ministri Hoti në Tëvë1.
Ai ka thënë se problemet me veteranët kanë qenë të trashëguara dhe procesi gjyqësor ua ka pamundësuar që të bëjnë ndërhyrje në listat e veteranëve ku dyshohet se ka pasur fryrje të numrit.




