Në sallën ku heshtja fliste më fuqishëm se çdo fjalë, kjo e premte solli rikthimin e një mungese 27-vjeçare.
Në Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, emrat e Masar Dushit, Fadil Elezit dhe Bali Gashit u përmendën jo më si të zhdukur, por si martirë të identifikuar pas më shumë se dy dekadash ankthi.
Në nder të rivarrimit të tyre, familjarë e përfaqësues institucionesh u mblodhën për të nderuar jetën dhe sakrificën e tyre.
“Në këtë ditë të rëndë, secili prej nesh ndjen thellë në shpirt, dhimbje te çdo qytetar, te çdo familje të Klinës ka dhimbje, por mbi të gjitha, më shumë se të tjerët, këtë barrë të rëndë për 27 vite e kanë mbajtur familjarët të cilët jetojnë mes shpresës dhe ankthit mes pritjes së gjatë dhe lotëve”, tha Zenun Elezaj-kryetar i Klinës.
Nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, Xhemile Morina u shpreh se identifikimi i martirëve është një moment i dhimbshëm, por i domosdoshëm për të vërtetën.
“Në emër të Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, ju drejtohem sot me respektin dhe përulësinë më të thellë pas shumë vitesh ankthi, pritjeje, dhimbje. Identifikimi i martirëve është një moment i rëndë por edhe i domosdoshëm për të vërtetën dhe identitetin, sakrifica e tyre është pjesë e historisë sonë dhe themel i lirisë që sot e gëzojmë”, u shpreh Morina.
E pranishme në këtë akademi ishte edhe deputetja Hikmete Bajrami, e cila theksoi që ndërsa jetët e të tjerëve kanë vazhduar, nënat e të zhdukurve kanë mbetur në pritje për 27 vite.
“…Krejt nënat që i kanë familjarët e tyre të zhdukur që 27 vite, presin për zbardhjen e më të dashurve të tyre. Dhe ju jeni me fat qe i keni te gjetur se ka të tillë si Zoti Manaj që më herët më tha ‘po ju lakmoj që i kanë gjetur”, tha Bajrami.
E fjalët që u thanë sot ishin të përziera me dhimbje e lehtësim.
“Këta martirë, 27 vite qëndruan në zemrat e familjarëve, por edhe të gjithë popullit të Kosovës që me shpresat e tyre që trupat do të gjinden dhe e vërtetë, unë personalisht i lakmoj këto familje që dhimbjen e pafund po e përjetojnë me një fund të dhimbshëm”, u shpreh Ramë Manaj, ish-zëvendskryeministër.
Nga masakra e Kralanit vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe një numër i madh i viktimave.




