Me masa mbrojtëse, në Dhomat e Specializuara në Hagë, filloi dëshminë dëshmitari i parë i Prokurorisë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.
Identiteti i dëshmitarit është i ditur vetëm për ata që janë të pranishëm në sallën e gjyqit.
Pyetjet për këtë dëshmitar i filloi Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori, Matt Halling, i cili pyetjet fillestare i bëri në seancë private për publikun.
Ndërsa, mbrojtësja e Thaçit, Sofi Menegon, kërkoi nga gjykatësit që mbrojtësit pyetjet për dëshmitarin t’i bëjnë të hënën, për shkak se nuk janë të gatshëm për pyetjet.
“Do të kërkoja që të filloja pyetjet për dëshmitarin të hënën. Ju kishit thënë në dosjen tuaj f705 paragrafi tetë, se në qoftë se ne nuk jemi të gatshëm për të bërë pyetje mund të kërkojmë që të shtyhet ky afat dhe do të vlerësonim nëse do të na jepni kohë pak më të gjerë për të përmirësuar këtë proces’, tha Menegon.
Gjykatësi Kristofer Gosnel pezulloi seancën për ditën e sotshme, e cila do vazhdoj të hënën.
“Atëherë do të pezullojmë seancën e ditës së sotme”, tha ai.
Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë janë dhënë deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin.
Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.




