Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se të premten ka zbuluar mallra të kontrabanduara në vlerë mbi 500 mijë euro, në një depo të paregjistruar si biznes në periferi të Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është realizuar pas sigurimit të informatave përmes rrugëve operative, ndërsa malli po sekuestrohet dhe inventarizohet.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka udhëzuar zyrtarët doganorë për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.
“Sot, më 27 shkurt 2026, në periferi të Prishtinës, bazuar në informata të siguruara përmes rrugëve operative, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë realizuar një kontroll në një depo ku dyshohej për mallra të kontrabanduara. Kontrolli është organizuar në përputhje me autorizimet që rrjedhin nga Kodi Doganor i Republikës së Kosovës. Gjatë veprimeve në terren është konstatuar një sasi e konsiderueshme mbathjesh me marka të mbrojtura tregtare. Depoja në fjalë nuk ishte e regjistruar si biznes dhe nuk posedonte asnjë dokumentacion që dëshmonte prejardhjen e mallit. Lidhur me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka udhëzuar zyrtarët doganorë për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme hetimore. Aktualisht, malli është duke u sekuestruar dhe inventarizuar. Vlera e përafërt e mallit të dyshuar vlerësohet të jetë mbi 500,000.00 euro. Doganat e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e ekonomisë formale, konkurrencës së ndershme dhe të drejtave të pronësisë intelektuale”, thuhet në njoftim./teve1.info/







