Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 03:10, një i burgosur është arratisur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit zyrtar, i dënuari F.M., i hospitalizuar më 16 shkurt 2026 nga Qendra Korrektuese në Dubravë në repartin e Onkologjisë është arrestuar më 24 tetor 2025 për veprën penale “Vjedhje e Rëndë” dhe po mbante dënimin prej katër vjetësh, me datë të lirimit më 8 qershor 2029.
Menjëherë pas arratisjes, është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa Shërbimi Korrektues ka themeluar një komision të brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes dhe dyshimet për shkelje eventuale nga zyrtarët korrektues përgjegjës për sigurinë dhe prezencën e tij.
Si masë e menjëhershme, komisioni disiplinor ka pezulluar dy zyrtarë korrektues deri në përfundim të procedurave hetimore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se sot rreth orës 03:10, nga QKUK është arratisur i burgosuri F.M. I dënuari në fjalë është hospitalizuar më datë 16.02.2026 nga Qendra Korrektuese në Dubravë në QKUK, në repartin e Onkologjisë, kati i dytë, dhoma nr. 2, së bashku me pacientë të tjerë. I njëjti është i dënuar për Veprën Penale Vjedhje e Rëndë, është arrestuar më 24.10.2025 dhe është duke mbajtur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh dhe do të lirohej më 08.06.2029. Menjëherë pas rastit, është njoftuar Policia e Kosovës dhe është themeluar komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e arratisjes dhe dyshimet për shkelje eventuale nga zyrtarët korrektues që kanë qenë përgjegjës për sigurinë dhe prezencën e tij. Komisioni disiplinor, si masë e menjëhershme, ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues deri në përfundim të procedurave hetimore. Pas pranimit të raportit nga komisioni hetimor, Shërbimi Korrektues i Kosovës do të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga ky proces”, thuhet në njoftim.







