Sipas raportit më të fundit SecuriMeter 2025, Kosova renditet si vendi me perceptimin më të lartë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, i publikuar nga Regional Cooperation Council.
Sipas të dhënave zyrtare të anketës rajonale, 64% e qytetarëve në Kosovë deklarojnë se ndihen “shumë të sigurt” ose “mjaft të sigurt” në jetën e tyre të përditshme, duke shënuar përqindjen më të lartë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm rreth 16–17% e të anketuarve shprehen se ndihen të pasigurt, që është ndër nivelet më të ulëta në rajon.
Raporti tregon gjithashtu se 58.4% e qytetarëve pajtohen se Kosova është vend i sigurt për të jetuar, ndërsa 16.8% nuk pajtohen me këtë vlerësim dhe 23.8% mbajnë qëndrim neutral. Këto shifra e pozicionojnë Kosovën në vendin e parë në rajon për perceptimin e sigurisë së brendshme.
Sa i përket sigurisë në nivel rajonal, 43% e qytetarëve të Kosovës konsiderojnë se Ballkani Perëndimor është rajon i sigurt për të jetuar, ndërsa 21.9% mendojnë të kundërtën dhe 33.3% janë neutralë.
Edhe në aspektin e së ardhmes, qytetarët e Kosovës rezultojnë më optimistë krahasuar me vendet tjera të rajonit. 36.9% presin që situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor të përmirësohet gjatë 12 muajve të ardhshëm, ndërsa vetëm rreth 15–16% presin përkeqësim. Pjesa më e madhe e qytetarëve në Kosovë shprehin gjithashtu shqetësim të ulët për mundësinë e një lufte që do të përfshinte vendin, me mbi 70% që deklarojnë se janë “pak” ose “aspak” të shqetësuar.
Sipas gjetjeve të raportit, Kosova shënon gjithashtu nivelin më të ulët të shqetësimit për konflikt të brendshëm apo luftë mes vendeve të rajonit, krahasuar me shtetet tjera të WB6.
SecuriMeter 2025 është realizuar gjatë periudhës maj–qershor 2025 me 6007 të anketuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi, duke analizuar perceptimet për sigurinë, stabilitetin, besimin në institucione dhe sfidat ekonomike e sociale.
Gjetjet e këtij viti tregojnë se, pavarësisht sfidave globale dhe tensioneve ndërkombëtare, Kosova kryeson në rajon për ndjenjën e sigurisë dhe stabilitetit të perceptuar nga qytetarët./teve1.info/







