Profesori, Dashamir Bërxulli ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes deklarimeve të tyre pas takimit të zhvilluar sot, kanë përjashtuar mundësinë e kandidaturës dhe mbështetjes së presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për një mandat të dytë.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Bërxulli ka theksuar se nga deklarimet e Kurtit u kuptua qartë se çështja e kandidaturës së Osmanit është e mbyllur dhe se ajo nuk figuron në planet e tij, por as në ato të LDK-së, si kandidate për presidente.
“Dy deklarimet, ai i Kurtit dhe ai i Abdixhikut, në masë të madhe përjashtojnë kandidaturën e presidentes aktuale Vjosa Osmani për zgjedhjet e ardhshme. Nuk duket se do të ketë mbështetje për të. Kurti bëri një matematikë të numrave, duke shpjeguar mikrosjelljen e deputetëve në parlament. Në fakt, ai nuk foli me publikun, por me Osmanin, duke i dërguar mesazh se nuk i kanë numrat. Nga ky moment e dimë se Osmani nuk është në planet e Kurtit, madje as në planet e LDK-së si kandidate për presidente, ndërsa për PDK-në kjo ka qenë e ditur prej kohësh”, ka deklaruar Bërxulli.
Bërxulli ka shtuar se edhe shpjegimi i Kurtit për vizitën e tij tek familja Familja Jashari përmbante një nënkuptim politik, duke lënë të hapur mundësinë që një anëtar i kësaj familjeje të jetë kandidat potencial për president.
“Kurti la të nënkuptohej se dikush nga familja Jashari mund të jetë kandidat i mundshëm për president. Ai tha se votat e LDK-së mund të jenë të pamjaftueshme, duke përmendur shifrën 80-81 vota dhe duke theksuar se nevojitet një mbështetje më e gjerë”, është shprehur Bërxulli.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në pasditen e së hënës kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për pozitën e presidentit të vendit.
Pas takimit, Kurti theksoi se as partia e tij, as LDK-ja dhe as Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë një kandidat të tyre për presidentin.
Ai u pyet nëse mbështet Vjosa Osmanin edhe për një mandat në krye të shtetit dhe ai tha se partia e tij nuk ka mbledhur nënshkrime për askënd dhe se do të “ishte e dëmshme” nëse LVV-ja do të dilte me një kandidat, pasi tha se shumica parlamentare ka 66 vota – 14 më pak sa kërkohen për president.
“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askëmd për shkak se edhe në rast se i mbledhim nënshkrimet, po e theksoj, ne në rastin më të mirë teorik mund të mbërrijmë te numri 66 që është aq larg numrit 80. Prandaj, kot ne mund të nxjerrim kandidat, ndërkohë që dy subjektetet tjera thanë se nuk i kemi as 30 për nënshkrime sepse 30 është minimumi për propozimi”, tha Kurti.
Kurti tha se me votat aktuale që ka partia e tij dhe partnerët nga komunitetet joserbe, mund të mblidhen nënshkrime për dy kandidatë për president.
Por, ai insistoi se për zgjedhjen e presidentit nuk duhet të synohet vetëm pragu i 80 votave, por deri në 85, në mënyrë që procesi të mos dështojë nëse ndonjë deputet mungon.
Ndërkaq, kreu i LDK-së ka thënë se nevojitet konsensus politik apo marrëveshje mes partive për emrin.
Abdixhiku ka treguar se me Kurtin nuk ka biseduar për ndonjë emër konkret, teksa ka paralajmëruar takim të ri në ditët e ardhshme.







