Banorët e fshatit Zajm në komunën e Klinës të dielën kanë protestuar për pronat e tyre, duke bllokuar rrugën e magjistrales Pejë–Prishtinë. Megjithatë, aty ndërhyri policia duke i larguar nga rruga.
Të njëjtit kanë shprehur shqetësimin se pronat e tyre po u shiten personave tjerë.
Banorët thonë se në vitet e 60-70-ta prindërit e tyre i kishin blerë pronat nga komuniteti serb dhe disa kanë arritur që pronat t’i kthejnë në emër të tyre e disa jo.
Deri më tani pesë prona u janë shitur personave tashmë të njohur për banorët.
Ata e morën vesh këtë kur panë një tabelë në tokën e njërit ku shkruante tokë private dhe numri i telefonit.
Ata po kërkojnë nga gjykata që 30 pronat t’i kthehen në emrat e tyre, ndërkohë nga prokuroria të hetohen personat që kanë blerë pronat e tyre siç thonë në mënyrë të paligjshme.
Banori Asllan Morina tha se atij i janë uzurpuar dy ari tokë në mal nga një person, i cili pasi kishte kuptuar që lënda ishte në gjykatë, ia ka shitur një qytetari të Gjakovës, i cili tashmë e ka përfshirë në hipotekë deri në 2039.
“Banojmë prej viteve 73, këto prona i kanë blerë baballarët tonë. Tash me ardhë këta me i ble në mënyrë të paligjshme dhe as nuk tregojnë sa i kanë ble e si i kanë qitë në emër të tyre… asnjë tokë nuk është e uzurpuar, të gjitha të blera, atëherë shteti nuk na ka lënë me i qitë në emër tonin, kemi filluar, ende i kemi lëndë nëpër gjykata, tash me ardhë ata me i qitë në emër të vetin. E kanë qitë tabelën pronë private dhe numrin e telefonit, aty e kemi kuptu na se çka po bëhet në fshatin Zajmë. E kemi thirrë, e kam ble unë, si e ke ble, unë e di. Kemi qenë para gjykate, komune, prokurori. Asnjë nuk është i fshatit, disa janë të Deçanit, Kamenicës e Gjakovës, janë grup. Mua mi ka marrë dy hektarë mal, Xhevdet Bunjaku, kur ka pa që gjykata ka qitë masë të përkohshme, ia ka shitë Besfort Kamberit të Gjakovës, ai e ka qitë në hipotekë deri më 2039… Deri sot nuk na kanë thënë me u largu nga shtëpia, po përderisa janë në emër të tyre ajo nuk llogaritet më pronë e imja”, tha ai.
Kryetari i bashkësisë lokale të fshatit, Met Krasniqi, kërkon nga gjykata, prokuroria e policia që brenda një muaji të veprohet, përndryshe do veprohet me Kanun.
Krasniqi shpreh se fëmijët po bien në gjumë me frikë se mos të nesërmen do largohen nga shtëpia e tyre.
“Protesta e radhës do marrim gratë e fëmijët me u shtri në tokë o do larrim traktorët me ia msy si në luftë për Shqipëri. Po këto sende kanë qenë në procedurë, gjykata ende nuk i ka përkthyer pronat tona, ne kërkojmë prej prokurorisë, gjykatës e policisë një muaj ditë me marrë masa ose ne në protestat e tjera do të eskaloj gjendja jo në mënyrë paqësore si sot. Ne kemi qenë 30 vite para lufte, kanë mundur me na marrë serbët, me ardhë shqiptarët me na marrë pronën nuk e kisha besu. Kanuni do të veprojë, sipas kanunit do shkojmë tjetër rrugë, na ka mbet. Fëmija jonë po flenë me frikë se mos po vijnë me na largu nga shtëpia. Ne kërkojmë vetëm drejtësi, me na kthye pronat tona”, u shpreh ai.
Banorët paralajmëruan protestë të dhunshme nëse nuk ndërmerret diçka nga gjykata e prokuroria.




