Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane në vend, mund të krijojë pasiguri dhe të rrisë hapësirën për ndikime të jashtme, paralajmëron koloneli i pensionuar amerikan, Ray Wojcik, i cili më herët ka shërbyer si udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Debati për këtë çështje u iniciua këtë javë, kur gazeta amerikane Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, tha se SHBA-ja po kërkon nga aleanca të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.
Koloneli amerikan thotë se tërheqja e papritur e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë.
“Çdo ndryshim i papritur në pozicionin e trupave amerikane ose të forcave të tjera aleate në KFOR do të ishte gabim dhe do të krijonte pasiguri. Duhet gjithmonë ta kemi parasysh se si duket një ndryshim radikal i dislokimit të forcave, dhe mjafton të kujtojmë tërheqjen kaotike, të orkestruar nga Amerika në Afganistan, në vitin 2021. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se edhe në vitin 2023, paramilitarët serbë sulmuan forcat policore të Kosovës. Historikisht, nuk duhet të harrojmë kurrë se paqëndrueshmëria në Ballkan çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore dhe në vdekjen e 20 milionë njerëzve në gjithë Evropën”, ka deklaruar Kolonel Wojcik për Radio Evropa e Lirë.
“Është e rëndësishme të kujtojmë se plani i NATO-s gjithmonë ka qenë që, me kalimin e kohës, të bëhet një reduktim në faza i forcave në Kosovë (përfshirë edhe ato amerikane). Por, ky plan duhet të bazohet në sigurimin e kushteve të duhura të sigurisë, para se të zvogëlohen trupat. Nëse SHBA-ja sinjalizon se po redukton praninë e saj, atëherë aleatët evropianë duhet të mendojnë se si t’i mbushin boshllëqet, duke u siguruar që çdo tërheqje e përgjithshme të bëhet vetëm kur të plotësohen kushtet e sigurisë. Një reduktim i madh i trupave amerikane në KFOR do të ndikonte më shumë në aftësinë për të parandaluar krizat dhe për të reaguar shpejt ndaj tyre, sesa në sigurinë e përditshme”.
“Nëse shkurtimet amerikane përfshijnë kapacitete të rëndësishme si: zbulimi dhe mbikëqyrja, aviacioni dhe evakuimi mjekësor, transporti apo personeli komandues, atëherë KFOR-i mund të jetë më i ngadalshëm në zbulimin e rreziqeve, në marrjen e vendimeve dhe në dërgimin e forcave në rast të një krize të papritur, veçanërisht në zonat e ndjeshme. Kjo mund të krijojë një periudhë të brishtë gjatë tranzicionit, të cilën aktorë destabilizues mund të përpiqen ta testojnë. Edhe nëse vendet evropiane e kompensojnë këtë mungesë, ndryshimet në paralajmërime dhe në rregullat kombëtare të angazhimit mund të bëjnë që reagimi të duket më pak i shpejtë dhe më pak i vendosur”.
Policia e Kosovës është e aftë për sigurinë e përditshme dhe përpjekjet dypalëshe afatgjate – si Programi i Partneritetit Shtetëror Ajova-Kosovë dhe lidhjet mes qyteteve të binjakëzuara – do të vazhdojnë, por këto nuk janë zëvendësim për parandalimin e menjëhershëm të armatosur nga ana e KFOR-it, për autoritetin komandues të NATO-s dhe për reagimin e shpejtë ndaj krizave”, thotë koloneli Wojcik.
Aktualisht, në KFOR shërbejnë rreth 590 forca amerikane.






