Në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj është zhvilluar një takim zyrtar ndërmjet drejtorit Rajonal, nënkolonel Faton Pllana dhe kolonel Federico Mora, komandant i Komandës Rajonale Perëndim të misionit KFOR.
Kolonel Mora shoqërohej nga nënkolonel Behar Mara, zëvendëskomandant i Komandës Rajonale Perëndim.
Gjatë takimit, Pllana informoi përfaqësuesit e KFOR-it mbi situatën e sigurisë në rajonin e Ferizajt, të cilën e vlerësoi si të qetë dhe të menaxhueshme, falë angazhimit të vazhdueshëm të strukturave policore në terren.
Në njoftim është bërë e ditur se ai prezantoi masat parandaluese të ndërmarra për të shmangur incidente dhe aksidente, si dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
Ndërkohë, kolonel Mora theksoi gatishmërinë e misionit për të thelluar bashkëpunimin me Policinë Rajonale të Ferizajt, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërinstitucional në funksion të sigurisë së të gjithë qytetarëve.
“Kolonel Mora dhe Nënkolonel Mara shprehën gatishmërinë e KFOR-it për të thelluar bashkëpunimin me Policinë Rajonale të Ferizajt, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm në funksion të ruajtjes së sigurisë për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.
Në përmbyllje të takimit, palët u dakorduan që bashkëpunimi i ndërsjellë të vazhdojë dhe të fuqizohet edhe më tej në të ardhmen. /teve1.info/





