Koalicioni qeverisës nuk do ketë asnjë bashkëpunim me Listën Serbe, thotë kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila, njëherësh ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Megjithatë, ish-kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes deklaron se ishte një detyrim i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, votimi në pako i nënkryetarëve të Kuvendit, ku përfshihej edhe Slavko Simiq nga Lista Serbe.
“Ne votuam pakon e nënkryetarëve. Domethënë, kanë qenë pesë nënkryetarë të Kuvendit të Republikës dhe Republika e Kosovës është mbi një emër të përveçëm të një nënkryetari nga Lista Serbe. Ne në këtë situatë duhet të shikojmë se cila është barra e përgjegjësisë për të gjitha institucionet që qeverisin dhe kanë vendimmarrje në këtë vend. Dhe votimin e tij në atë formë dhe domosdoshmërinë e mbajtjes së nënkryetarit nga Lista Serbe e përcaktoi Gjykata Kushtetuese. Nuk e përcaktoi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk e përcaktoi kryetarja e Kuvendit e as ekzekutivi. E përcaktoi një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese… Ne kemi ngritur dorë për pesë nënkryetarë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk kemi ngritur dorë specifikisht për një deputet të Listës Serbe. Ai e din mirë se përveç se është person me aktakuzë për sulm ndaj gazetarëve të Republikës gjatë ngjarjeve në veri në majin e vitit 2023, ai gjithashtu është një prej personave më destruktiv që ka qenë gjatë gjithë kësaj periudhe në Kuvendin e Kosovës”, thotë ajo.
Ajo këmbëngulë se as vet personalisht e as shumica parlamentare e udhëhequr nga LVV-ja nuk ka pasur komunikim apo koordinim me Listës Serbe që nga qershori i vitit 2022.
“Nuk do të ketë asnjë komunikim ose koordinim me Listën Serbe dhe ai komunikim ka përfunduar qysh në vitin e parë të qeverisjes Kurti 1. Domethënë, kjo pjesë është harruar apo harrohet shpeshherë kur përmenden diskutimet me ta apo kur kthehen mbrapsht ato incizime, veç për faktin se ato janë lëshuar të edituara dhe të redaktuara një vit e dy muaj pasi ka përfunduar çdo komunikim me ta. Ripërsëritja e atyre incizimeve nuk e bën komunikimin aktiv. Komunikimi me Listën Serbe nga ana ime ka përfunduar në qershor të vitit 2022, kur ai ka lexuar një kërcënim nga Radojiçiq nga telefoni i tij, që kishte të shkruar ndaj meje, dhe aty ka përfunduar çdo gjë. Domethënë, ndaj meje, ndaj qeverisë Kurti, ndaj pozitës e kështu me radhë. Redaktimi, montimi dhe publikimi i atyre video-mesazheve 13 muaj pasi kam nxjerrë zotin Simiq nga zyra, nuk do të thotë që kemi komunikuar me ta. Ripërtëritja e atyre incizimeve nuk e bën që kemi qenë duke komunikuar me ta. Në të kundërtën, ai komunikim ka qenë i ndërprerë, ka qenë hakmarrja e tyre për mosrealizim të asnjë pike që ata kanë synuar dhe për shkak se kanë parë që zhvillimet në veri po shkojnë në të kundërtën e çfarë ata kanë dashur të kenë”, thotë ajo.




