Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e komisioneve parlamentare për të diskutuar mbarëvajtjen e punëve pas konstituimit të tyre, detyrat që i presin dhe nevojat për funksionim më efikas.
Në njoftimin zyrtar thuhet se, Haxhiu ka kërkuar intensifikim të punëve, bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë lidhur me agjendën legjislative që pritet të paraqitet së shpejti nga Qeveria në Kuvend.
Ajo ka theksuar rëndësinë e rolit mbikëqyrës të Kuvendit dhe ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, si një nga funksionet kryesore të institucionit ligjvënës.
Gjatë takimit, Haxhiu ka ngritur edhe çështjen e funksionalizimit të komisioneve të përhershme në organizma ndërkombëtare, përfshirë Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Për bordet dhe agjencitë e pavarura që zgjidhen nga Kuvendi, ajo ka kërkuar që komisionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për shpalljen e konkurseve publike dhe përzgjedhjen e anëtarëve të tyre, sipas Rregullores së Kuvendit dhe ligjeve përkatëse.
Ndërkaq, kryetarët e komisioneve kanë shprehur përkushtimin për rritjen e efikasitetit në punë, me qëllim realizimin e planeve dhe avancimin e funksionimit të Kuvendit në përgjithësi.
Në përmbyllje, Haxhiu ka njoftuar se takime të tilla do të mbahen një herë në muaj dhe se kërkesat e paraqitura do të diskutohen edhe në Kryesinë e Kuvendit.
“Republika jonë, e ndërtuar mbi sakrificë, forcohet çdo ditë përmes punës, drejtësisë dhe vendimeve në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Haxhiu.
Ndryshe, legjislatura e dhjetë e Kosovës do të ketë gjithsej 16 komisione parlamentare, duke përfshirë ato të përhershme dhe funksionale./teve1.info/







