Ish-deputeti i Kosovës, Ibrahim Gashi ka ndarë reflektime mbi periudhën e pas shpalljes së Pavarësisë dhe zhvillimet e mëtejshme në shtetin e ri të Kosovës.
Gashi theksoi se java e parë pas shpalljes së Pavarësisë ishte shumë intensive dhe e vështirë për deputetët, pasi ata duhej të merrnin vendime të rëndësishme dhe të harmonizonin legjislacionin për të mbështetur themelimin e shtetit të ri.
Ai kujtoi se një nga arritjet më të rëndësishme ka qenë njohja ndërkombëtare e Kosovës, ku shtetet mike fillimisht kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, duke i dhënë një shtysë të madhe për të ardhmen e vendit.
Derisa, ai theksoi gjithashtu se në vitet e para pas luftës, janë krijuar shumë institucione shtetërore, duke i dhënë Kosovës bazat për të funksionuar si një shtet i pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Ndërkohë, Gashi e cilësoi shpalljen e Pavarësisë dhe çlirimin e Kosovës si dy nga mrekullitë më të mëdha në historinë e shqiptarëve, ndërsa përmendi progresin e dukshëm në fusha të tilla si infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia.
Ai pranoi se megjithatë, nuk kanë munguar edhe sfidat, me disa ngecje në zhvillim, por përfundoi se Kosova ka bërë shumë përparime dhe është sot në një pozicion më të mirë se shumë rajone të Ballkanit Perëndimor.
“Ka qenë shumë intensive java e parë pas shpalljes së Pavarësisë, aty kemi kuptuar që kemi një mision, një barrë si deputet se duhej harmonizua, duhej votua legjislacioni tash i shtetit të ri të Kosovës. Shumë gjëra ka ndodh në këto dy tri vitet e para, ka pasur të arritura në planin e e afirmimit ndërkombëtar të statusit të shtetit të ri të Kosovës përmes njohjeve pra njohjeve që filluan me ardhur me një dinamike shumë të shpejt nga shtetet mike fillimisht. Shumë institucione shtetërore janë krijuar në këto dy tri vitet e para, Kosova ka filluar me marr ato konturat e domosdoshme të një shteti, ne kemi pasur lirinë dhe mundësinë me u zhvillua si një shtet i pavarur”
“Në Kosovë kanë ndodhur mrekullia, mrekullia ka ndodh fillimisht me çlirimin e Kosovës, një ëndërr fiks 100 vjeçare po thuajse e shqiptarëve, pastaj mrekullia ka ndodh me shpalljen e Pavarësisë, si dhe mrekullia ka ndodh edhe në planin e brendshëm, ka pasur progres të madh në fushën infrastrukturore, kapitale, në arsim, shëndetësi. Gjithçka në Kosovë ka nis nga zero pas luftës. Kosova ka bërë shumë progres, ka mënyra që s’kanë shkua shumë mirë, ka ngecje por në total ka pasur progres dhe të arritura dhe sot Kosova është e krahasueshme me rajonet e Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë jetëgjatësi më të madhe se ne”, ka deklaruar Gashi në emisionin “Ditari” në Tëvë1./teve1.info/







