Kuvendi i Kosovës miratoi në një seancë të jashtëzakonshme plenare të enjten Rezolutën për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke kërkuar zbatim me përpikëri të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare për proces të drejtë dhe të paanshëm.
Rezoluta, e paraqitur nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, u miratua me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, pasi paraprakisht u votua shmangia nga rendi i ditës për ta trajtuar si pikë të parë.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim, pasi një kërkesë e tyre për të shtuar një pikë në përmbajtje nuk u pranua.
Dokumenti kërkon nga institucionet e drejtësisë në Hagë që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të garantojnë respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë edhe standardet e përcaktuara nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rastet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve.
Po ashtu Rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe standardeve ndërkombëtare për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.
Gjatë debatit, kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, propozoi shtimin e një pike në tekstin e rezolutës, por propozimi nuk mori mbështetjen e nevojshme as që të dal në votim.
Përparim Gruda i PDK-së tha se teksti është i një grupi profesorësh, rreth 300 anëtarë, që janë deponuar si peticion në Kuvendin e Kosovës dhe nuk është një tekst i hartuar nga partitë, dhe tha se vetëm ka pasur dakordim.
Megjithatë, Lushaku insistoi që pika e propozuar nga ta, të përfshihet në rezolutë.
Për pasojë, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim. Pas seancës, shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka treguar arsyet e përmbajtjes nga votimi për rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ajo pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, tha se mos përfshirja e amendamentit të tyre për zbardhjen e vrasjeve politike në rezolutë ka bërë që të mos marrin pjesë në votim.
Fatos Geci i partisë Guxo së ishte deputeti i vetëm që votoi kundër Rezolutës për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai më pas u shpreh se është krenar me veprimin që e ka bërë.
Seanca e mbrëmshme vijoi me miratimin e Propozim-vendimit të Qeverisë për zgjatjen e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars 2026, me qëllim të shmangies së pengesave në procesin e pagesave deri në miratimin e buxhetit të ri.
Në fund, Kuvendi miratoi përbërjen e 16 komisioneve parlamentare për legjislaturën e dhjetë, me anëtarët e propozuar nga grupet parlamentare, sipas ndarjes së dakorduar në Kryesinë e Kuvendit.







