Vetëm dy vite më parë, Danny Casper luftonte për t’u ngritur nga shtrati. Sot, 22-vjeçari amerikan ndodhet në Cortina të Italisë me një objektiv të qartë: medaljen e artë olimpike në curling.
Historia e tij është një nga më të fortat e këtyre Lojërave Dimërore.
Një trup që “e tradhtoi” papritur
Gjithçka nisi në shkurt të vitit 2024, në fund të një turneu të “mixed doubles”. Casper, zakonisht skip dhe strategu kryesor i ekipit të tij, u detyrua të marrë përsipër edhe fshirjen e akullit – një rol që zakonisht ua lë shokëve të skuadrës. Ai ndjeu dhimbje në qafë dhe shpinë, të cilat fillimisht i konsideroi si pasojë e teknikës së dobët në fshirje.
Por situata u përkeqësua shpejt sapo u kthye në shtëpinë e tij në periferi të Minneapolis. Dhimbje të mprehta i përshkonin krahët dhe këmbët. Duart dhe shputat i mpiheshin vazhdimisht. Nuk arrinte të zbriste shkallët pa ndihmë. Shokët e dhomës e ndihmonin me ushqimin dhe rrobat. Madje mezi arrinte të shkruante mesazhe në telefon.
Testet e para mjekësore nuk dhanë përgjigje. Një mjek sugjeroi mungesë vitamine B, por Casper e kuptoi se problemi ishte shumë më serioz.
“Për një kohë ishte si, harro curlingun. Po si të arrij deri nesër?”, rrëfeu ai për Yahoo Sports, duke pranuar se mendimet e tij në momentet më të errëta shkonin drejt skenarëve më të këqij.
Diagnoza që ndryshoi gjithçka
Në qershor 2024, katër muaj pas simptomave të para, Komiteti Olimpik dhe Paralimpik i SHBA-së e dërgoi në Florida për teste të mëtejshme. Aty më në fund erdhi diagnoza: Sindroma Guillain-Barré (GBS), një sëmundje e rrallë ku sistemi imunitar sulmon nervat.
Nuk ka kurë për GBS, por mjekët i thanë se me trajtim dhe fizioterapi mund të rikuperohej plotësisht brenda 8 deri në 12 muajve.
“Sapo më thanë se kjo është diçka që kalon dhe që mund të trajtohet, ishte një lehtësim i madh. Më bëri më optimist për curlingun dhe jetën në përgjithësi,” tha Casper.
Rrugëtimi drejt rikthimit
Megjithëse donte me çdo kusht të rikthehej për sezonin 2024-25, ai nuk ndihej gati të rrëshqiste gurin 44-poundësh të granitit në pistën e akullit. Mungoi në dy muajt e parë të sezonit dhe u aktivizua vetëm kur shëndeti ia lejonte, duke detyruar ekipin të përdorte zëvendësues të përkohshëm.
Casper kishte ndërtuar një ekip premtues në Minneapolis që prej vitit 2019, kur u transferua nga Nju Jorku për të studiuar në Universitetin e Minnesotës. Së bashku me Luc Violette, Ben Richardson dhe Chase Sinnett, ai fitoi argjendin në Lojërat Botërore Universitare 2023 dhe u rendit i dyti në Kampionatin Kombëtar amerikan pas ekipit të famshëm të John Shuster.
Edhe pas ndryshimeve në përbërje, Team Casper arriti të përmbysë ekipin e Shuster në “Olympic Trials” në një duel dramatik “best-of-three”, duke konfirmuar statusin si ekipi më i mirë amerikan i momentit. Më pas siguroi një nga dy biletat e fundit olimpike në një turne global kualifikues në dhjetor.
Jo 100%, por me të njëjtën ambicie
Edhe sot, dy vite pas simptomave të para, Casper pranon se nuk ka ende forcën dhe shkathtësinë e dikurshme në duar. Rikuperimi nuk ka qenë aq i shpejtë sa shpresonin mjekët.
Megjithatë, kjo nuk e ka ndryshuar mentalitetin e tij.
Të mërkurën, ai udhëhoqi SHBA-në drejt fitores ndaj Çekisë në ndeshjen hapëse në Cortina. Dhe objektivi mbetet i pandryshuar.
“Gjithmonë e kam të vështirë ta kuptoj kur njerëzit thonë se synimi është të arrish në ‘playoff’ apo të marrësh bronzin. Jo, synimi është gjithmonë të fitosh. Nuk e di pse do të ishte ndryshe,” deklaroi Casper.
Nga një i ri i shtrirë në shtrat, që luftonte me trupin e tij, në një lider olimpik që synon majën e podiumit — historia e Danny Casper është dëshmi se ndonjëherë fitorja më e madhe nis shumë përpara se të hidhet guri i parë në akull.







