Xani ka vlerësuar se më të dobishme kanë qenë marrëveshjet e vitit 2013 dhe ajo e vitit 2015 për energjinë sesa marrëveshja e sotme.
“Nuk mund të them qe kjo marrëveshje nuk do të duhej të arrihej, por nuk është në kënaqshmërinë më të madhe të mundshme sa i përket Kosovës. Pra nëse i krahasojmë të tri marrëveshjet dhe i shohim pikat të cilat mund t’i referohemi dhe pikave të cilat sot i kemi në marrëveshje, ka zbutje të gjuhës dhe ka hapësirë për interpretime. Zakonisht kur kur ka hapësirë për interpretime pala serbe vazhdimisht ka sjellë pengesa, dhe aty ku ka shumë qartësi pala serbe çdo herë mundohet t’i vendosë në hije me qëllim që qartësitë, pra të turbullohen dhe të vazhdojë me qëllimet e veta politike”, tha ai.
Xani në emisionin “Ditari” theksoi gjithsesi se ky hap i Qeverisë mund të llogaritet si hap i guximshëm.
“Po gjithsesi nëse mund të llogarisim është një hap i guximshëm i Qeverisë së Kosovës, për shkak se e kemi pa vazhdimisht që përveç kritikave që ka pasë në periudhën e kaluar dhe tash që ka ardh në pushtet ka pasur vështiresi të marrë përsipër këtë proces të dialogut, për shkak që nuk do të kemi shumë marrëveshje të lëvdueshme për Kosovën. Mos të harrojmë që ne po mundohemi të vendosim kontroll aty ku nuk kemi kontroll. Pra nëse deri dje në veri të vendit nuk kemi mundur ta faturojmë energjinë elektrike tash e kemi gjetë një metodë të grumbullimit, pra të futjes nën kontroll të asaj pjese sa i përket çështjeve për energji elektrike”, shtoi tutje Xani.
Kosova dhe Serbia sot janë pajtuar për udhërrëfyesin e Zbatimit të Marrëveshjes për Energjinë që është arritur në Bruksel qysh në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015.
Ky udhërrëfyes përmban nëntë pika dhe parasheh licensimin e kompanisë serbe Elektrosever nga ZRRE-ja./teve1.info./