Autori: Adea Mustafaj
Është organ i pavarur ku ankohen subjektet politike.
E të hënën, Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, iu drejtuan pesë të tilla.
Kjo meqë ora 11:00, u caktua si afati i fundit për ankesa, para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në mesditë, PZAP njoftoi se pesë ankesave të para, iu shtuan edhe dy nga kandidatët për deputetë.
“PZAP, pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ për zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka pranuar gjithsej shtatë ankesa, prej të cilave pesë nga subjekte politike dhe dy nga kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës të legjislaturës së dhjetë. Ankesat e pranuara janë: një ankesë nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), dy ankesa nga PDK – kandidati Bekim Haxhiu, një ankesë nga Koalicioni PAI–PDAK–LPB, dy ankesa nga Nova Demokratska Stranka (NDS) dhe një ankesë nga Srpska Lista.”, ka njoftuar PZAP
Njëra nga kandidatët që paraqiti ankesë në PZAP, ishte edhe Emilia Rexhepi nga Partia e Re Demokratike.
Arsyet për Tëvë1, i tregoi vet ish-zëvendëskryeministrja.
“Një ankesë e kemi dorëzuar në PZAP kundër kandidatit të koalicionit …, zotit Baki Shabani, sepse ka marrë 85 vota në një fshat etnik shqiptar dhe kjo është kundër Kushtetutës. Edhe një ankesë tjetër është kundër një partie serbe, edhe ata kanë marrë më shumë se 200 vota në fshatra etnike boshnjake. Asnjë serb, asnjë shqiptar apo komunitet tjetër nuk banon aty dhe edhe kjo është kundër Kushtetutës.”, ka thënë Rexhepi.
PZAP-së, të hënën iu drejtuar edhe kandidati nga PDK, Bekim Haxhiu.
“Sot kam dorëzuar dy ankesa zyrtare në PZAP kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Ankesat lidhen me: përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme; si dhe me llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, e cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 28.12.2025.”, ka thënë Haxhiu.
Për trajtimin e këtyre ankesave, PZAP ka afat katër ditë për marrjen e një vendimi.
Pas palët e pakënaqura mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme.







