Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka reaguar ndaj vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve “të pjesshme”, duke e cilësuar këtë praktikë të kundërligjshme dhe të rrezikshme për procesin zgjedhor.
Ai ka theksuar se KQZ nuk ka shpallur rezultatet e Listës Serbe, çka sipas tij krijon precedent të rrezikshëm dhe shkel parimin e barazisë në certifikimin e subjekteve politike.
Cakolli ka shpjeguar se rezultatet zgjedhore janë akt i vetëm dhe duhet të prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht, ndërsa ligji nuk njeh shpallje të rezultateve për një subjekt të veçantë apo vendime të ndara. Ai ka kritikuar faktin që disa anëtarë të KQZ-së kanë votuar kundër ose kanë abstenuar, pa paraqitur pretendime konkrete ligjore, duke e lënë çështjen në një “opinione politike” pa bazë.
Sipas tij, KQZ po vepron si autoritet që vendos se kush hyn në fazën pas shpalljes dhe kush jo, duke lejuar shpalljen selektive të rezultateve, dhe për këtë përgjegjësi mban edhe kryesuesi i KQZ-së, i cili sipas Cakollit ka lejuar ndarjen artificiale të rezultateve pa bazë ligjore.
Ai paralajmëron se ky precedent mund të shndërrohet në një praktikë të vazhdueshme, ku rezultatet mund të vonohen ose certifikohen në mënyrë selektive, duke e kthyer procesin zgjedhor nga një proces ligjor në menaxhim politik të rezultateve. Kjo, sipas Cakollit, është arbitraritet institucional./teve1.info/







