Tyson Fury ka konfirmuar rikthimin në boks, duke dalë sërish nga pensioni për t’u përballur me Arslanbek Makhmudov më 11 prill.
Superndeshja do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në mbarë botën në Netflix, që shënon transmetimin e parë live sportiv të platformës nga Britania. Do të jetë paraqitja e parë e Furyt para tifozëve vendas pas afro katër vitesh, ndërsa vendi dhe “undercard”-i pritet të bëhen publikë së shpejti.
Njoftimi u konfirmua nga Turki Alalshikh, kryetar i Autoritetit të Argëtimit të Arabisë Saudite dhe president i Federatës Saudite të Boksit, i cili theksoi se “jemi të lumtur që Tyson vendosi të kthehet nga pensioni për një përballje emocionuese kundër Makhmudovit”. Vetë Fury u shpreh: “I emocionuar që jam kthyer. Zemra ime ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në boks. Dikush t’i thotë mbretit se asi është kthyer.”
Makhmudov, i njohur për fuqinë e goditjeve me 19 fitore me nokaut nga 21 duele, vjen pas fitores më të madhe të karrierës ndaj Dave Allenit dhe premtoi spektakël: “Jam i entuziazmuar për këtë mundësi. Po vij për të dhënë luftë.” Ndërkohë, e ardhmja e rivalit Anthony Joshua mbetet e paqartë pas humbjes së miqve të afërt në një aksident, ndërsa Netflix vazhdon bashkëpunimin me Furyn edhe jashtë ringut, me sezonin e dytë të “At Home ith the Furys” dhe një dokumentar të ri në pranverë.











