Petrit Daniqi, qytetar nga Gadimja e Lipjanit, është personi që nxori nga lumi trupin e të miturit Zejn Zejnullahu, i cili ishte raportuar i zhdukur për disa orë dhe fatkeqësisht u gjet pa shenja jete.
Në një intervistë ekskluzive për Tëvë1, Daniqi rrëfeu me dhimbje momentet kur e pa trupin e fëmijës dhe mënyrën se si u bë tërheqja e tij nga lumi, me ndihmën e fqinjëve.
Ai tregoi se rasti kishte ndodhur rreth tri orë e gjysmë pasi fëmija ishte raportuar i zhdukur. Sipas tij, familjarët kishin shpërndarë fotografinë e të miturit në rrjete sociale, gjë që e kishte prekur thellë.
“Pasi ishte humbur fëmija, nëna dhe familjarët e kishin shpërndarë fotografinë në TikTok dhe Facebook. Unë prej orës 6 kam pritë mos po gjendet. Edhe në grupet e nxënësve kemi shkru të gjithë. Në një moment e mora telefonin dhe kërkova fotografinë. Mu ka ngushtu zemra, mu ka dhimt si fëmija jem”, tha Daniqi.
Ai tregoi se kishte dalë për të kërkuar ndihmë dhe, në momentin kur iu afrua urës, u kontaktua nga një mësuese, e cila i kërkoi të shikonte lumin.
“Kur e kalova rrugën, nën ndriçimin e dritave e pashë një trup me maicë të bardhë dhe trenerka, duke u bartur nga vala e ujit. Kam bërtitur sa kam pasë zë. Kanë dalë fqinjët, rreth 10 veta, dhe më kanë ndihmuar për ta nxjerrë”, rrëfeu ai.
Daniqi shtoi se, pasi e nxorën trupin nga lumi, kalimtarë të rastit tentuan t’i japin ndihmën e parë.
“E kam parë duke e çuar vala… kam bërtitur sa kam mundur. Kur e kemi shtrirë djalin, kaluesit kanë dhënë ndihmë. Mu ka dhimt si evlad i jemi”, përfundoi ai.
Për të parë gjithë intervisten ndiqeni videon më poshtë:




