Profesori Sadri Ramabaja në emisionin “Info Nata” në Televizionin Tëvë1 ka komentuar manipulimin e votave në zgjedhjet e fundit, duke përmendur ndalimin e 23 komisionerëve në komunën e Prizrenit dhe fillimin e hetimeve edhe në komunën e Drenasit. Ramabaja e cilësoi këtë situatë si një dëshmi të brishtë të demokracisë në vend dhe shqetësim për cenimin e saj.
“Me këtë situatë u dëshmua se demokracia jonë është relativisht e brishtë, sidomos kur mund të cenohen lehtë vullneti i mirë i këshillit qendror të zgjedhjeve, që procesi të ketë një mbarëvajtje të rregullt ditën e zgjedhjeve. Ajo që duket në shikim të parë është një ditë festive, dita e votimeve,” theksoi Ramabaja.
Ai e lidh manipulimin me mungesën e demokracisë së brendshme në partitë politike, si dhe me keqkuptimin e disa kandidatëve që, sipas tij, kanë përdorur çdo mjet për të fituar vota të pavlefshme.
“Në komunën e Prizrenit dhe Drenasit, çështja është mungesa e demokracisë së brendshme të theksuar në partitë politike, përkatësisht keqkuptimi i disa kandidatëve që me çdo kusht duan të marrin vota që nuk i meritojnë. Është një lajm i mirë që prokuroria në Prizren ka reaguar, pasi ajo që dukej e pabesueshme, rezulton të ketë pasur mundësi që demokracia të mbrojë veten,” shtoi ai.
Ramabaja vuri në dukje se ka gjasa që prokuroria të mund të kapë të gjithë përgjegjësit, duke përfshirë jo vetëm komisionerët e arrestuar, por edhe ata që kanë shtuar vota të pavlefshme.
“Gjasat janë të mira që prokuroria do të mbërthejë këtë situatë, sepse vetëm ata që janë arrestuar nuk janë përgjegjës. Pëgjegjësi duhet të ketë edhe ata që iu shtuan votat. Gjatë hetimeve mund të zbulohet që ka pasur marrëveshje mes komisionerëve, dhe ata që kanë kontribuar në këtë proces, duhet të marrin dënimin e merituar,” tha ai.
Ramabaja përshëndeti gjithashtu reagimin e prokurorisë dhe sugjeroi që të arrestuarit të bashkëpunojnë për të ndihmuar në zbulimin e të gjithë strukturave të përfshira.
“Për fat të keq, janë të arrestuar edhe familjarë të disa kandidatëve. Këta kandidatëve duhet t’u kërkohet dorëheqja, ndërsa drejtësia nuk duhet të përfundojë me kaq. Kandidatët duhet të thirren për t’u marrë në pyetje. Po ashtu, për komisionerët që janë arrestuar, nëse kanë marrë para, duhet të tregojnë gjithçka dhe të bashkëpunojnë me prokurorin. Ata duhet të ndëshkohen, sepse janë viktimizuar dhe shfrytëzuar nga strukturat mafioze brenda partive politike,” përfundoi Ramabaja.








