Politologu Melazim Koci ka vlerësuar se kandidatura e Avdullah Hotit për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës është e drejtë dhe legjitime, por sipas tij, konteksti në të cilin po ndodh ky proces tregon për ndarje të brendshme në parti.
Koci tha se paralajmërimi i dorëheqjes së kryetarit aktual Lumir Abdixhiku dhe shpallja e kandidaturës së Hotit sinjalizojnë përplasje të brendshme, ndonëse jo ndarje në kuptimin klasik.
“Është e drejtë dhe legjitime kandidatura e Hotit, por akti si akt, i marrë në kontekstin e dorëheqjes së ofruar të Abdixhikut për Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, sinjalizon ndarjet e partisë, së paku në dysh. Dhe ndoshta përplasje më të shpejt sesa ka mundur të presë opinioni”, ka deklaruar Koci në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Ai ka theksuar se ka paqartësi serioze lidhur me procesin që po ndodh brenda LDK-së, veçanërisht pas deklarimit të zëdhënësit të partisë, Besian Mustafa, i cili e ka cilësuar dorëheqjen e Abdixhikut si kërkesë për votëbesim.
“Nëse dorëheqja e Abdixhikut është votëbesim, siç u tha nga zëdhënësi i partisë, atëherë kandidatura e Hotit nuk ka hapësirë për t’u trajtuar në këtë Kuvend të Përgjithshëm”, u shpreh Koci.
Sipas tij, votëbesimi dhe gara për kryetar janë dy procese të ndryshme që nuk mund të zhvillohen njëkohësisht në të njëjtin Kuvend.
“Nuk mund të shkohet në të njëjtin takim të Kuvendit të Përgjithshëm edhe me votëbesim për Abdixhikun dhe njëkohësisht edhe me votim për një kandidat tjetër”, tha ai.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij nuk frikësohet nga anëtarësia, nga vota apo nga gara, duke theksuar se vendimet gjithmonë janë marrë në Kuvend, hapur dhe me debat.
Në anën tjetër, Avdullah Hoti ka bërë të ditur se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së më 31 janar do të kërkojë besimin për të marrë drejtimin e partisë, duke e konsideruar përfundimtare dorëheqjen e Abdixhikut, ndonëse kjo e fundit ende nuk është formalizuar dhe pritet të hidhet në votim nga delegatët. /teve1.info/







