Prokuroria Themelore në Prizren ka dalë me një komunikatë zyrtare pas aksionit të zhvilluar sot lidhur me dyshimet për manipulim të votave gjatë procesit të rinumërimit.
Sipas Prokurorisë, në kuadër të këtij aksioni janë ndaluar 109 persona, të cilët kryesisht kishin shërbyer si komisionerë në procesin e numërimit të votave. Të ndaluarit janë mbajtur në ndalim për 48 orë, ndërsa Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të vlerësojë paraqitjen e kërkesave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Personat e ndaluar dyshohen për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, nga neni 216, “Kanosja”, nga neni 181, si dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria bën të ditur se veprimet hetimore janë ndërmarrë pas informatave publike që lidhen me procesin e rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), përkatësisht në Qendrën Komunale të Numërimit në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, si dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren.
Ky aksion është cilësuar si më i madhi i zhvilluar ndonjëherë në Prizren për nga numri i personave të ndaluar, ku janë angazhuar katër prokurorë të shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda dhe rreth 200 zyrtarë policorë.
Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe nxjerrjen para drejtësisë të të gjithë personave që shkelin ligjin.







