Analisti politik Artan Alijaj ka deklaruar se ftesa e presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, duhet të ndikojë pozitivisht në mbështetjen e saj për një mandat të dytë presidencial.
Alijaj ka thënë se në këtë proces duhet të mbizotërojë arsyeja logjike edhe te partitë politike, duke marrë parasysh rolin dhe angazhimin ndërkombëtar të Osmanit.
“Shpresoj që të mbizotërojë arsyeja logjike edhe tek partitë politike. Kjo ishte edhe thirrja e kryeministrit Rama sot ndaj subjekteve politike, që ta kenë parasysh rolin e presidentes Osmani në nivel ndërkombëtar. Ajo e ka ngritur nivelin e përfaqësimit të vendit, ka ndërtuar marrëdhënie ndërpersonale me liderë të rëndësishëm botërorë, të cilat janë jashtëzakonisht të vlefshme. Po ashtu, ka treguar aftësi të mira në ndërtimin e marrëdhënieve si me liderët evropianë, ashtu edhe me ata amerikanë. Prandaj, është logjike që ajo të rikonfirmohet edhe për një mandat tjetër,” ka thënë Alijaj në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të mërkurën se ka pranuar që vendi të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, pasi mori ftesë nga udhëheqësi amerikan, Donald Trump.
“Me krenari të madhe e kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump”, tha Osmani për media.
Ajo shtoi se Kosova, sado e vogël, “mund të japë kontribut të madh në realizimin e këtyre synimeve. Jam duke punuar afër me Shtëpinë e Bardhë që kontributi ynë të jetë konkret dhe domethënës”.
Bordi i Paqes – i themeluar në fund të vitit të kaluar sipas planit të Trumpit për Gazën, synon zgjidhjen e konflikteve globale.
Mandati pesëvjeçar i presidentes Osmani përfundon më 7 prill të vitit 2026.




