Replikat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, lidhur me ato se çfarë u thanë ndaj gazetarit greko-amerikan, John Defterios, në panelin e samitit të Abu Dhabit për “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”, më 14 janar, nuk kaloi pa i marrë vëmendjen dhe homologut të tij, Kyriakos Mitsotakis.
Ky i fundit, i ftuar më 17 janar në një emision grek “Savatokiriako me ton Manesi”, në Alpha Tv, dha një përgjigje Ramës lidhur me deklaratat e kryeministrit tonë.
Mitsotakis u shpreh se e njeh Ramën prej vitesh, e që sipas tij “i shpëtojnë disa gjëra që nuk duhen thënë. Duke i cilësuar deklaratat e kryesocialistit “gabim”, kryeministri grek theksoi se Shqipëria është kandidate për unionin evropian. Për këtë, duket se kryeministri grek bëri një rikujtesë, duke u shprehur se “Zoti Rama e di shumë mirë se rruga e Shqipërise drejt Evropës kalon edhe nga Greqia”.
“Dëgjo, dua të jem i sinqertë. E njoh Edi Ramën prej vitesh, e kam parë se si shprehet dhe ndonjëherë i shpëtojnë gjëra që nuk duhen thënë. Ajo që tha ishte një gabim i kotë. Dhe mendoj se jam i kënaqur që gjeti një mënyrë për ta korrigjuar. Nuk ka asnjë arsye. Shqipëria është një vend fqinj dhe kemi shumë tematika me Shqipërinë. Është një vend kandidat për në BE. Z. Rama e di shumë mirë se rruga e Shqipërisë drejt Evropës kalon edhe nga Greqia. Mendoj se ishte një deklaratë e papërshtatshme, le ta lëmë pas”, tha kryeministri grek.
Pas kritikave të marra nga mediat greke për korrigjimin e bërë ndaj gazetarit greko-amerikan për emrin e tij, një ditë më parë (16 janar), kryeministri Rama përmes një postimi në platformën “X”, cilësoi se se bisedimi i tij me Defterios, ishte i bazuar me humor miqësor, e se fjalia e thënë prej tij është shkëputur nga konteksti për t’u kthyer në “polemikë publike me pathos nacionalist”.
Kujtojmë se më 14 janar, Edi Rama, kur ndodhej në një panel në samitin e Abu Dhabit për të folur për “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”, korrigjoi moderatorin greko-amerikan për shqiptimin e emrit.
Lapsusi në shqiptimin e emrit nga drejtuesi i panelit, John Defterios, e përballi atë me një sërë batutash të kryeministrit Rama për origjinën e tij greke.
“Jo, Edi Rami, Edi Rama. Ju jeni grek apo jo? Prandaj na keqshqiptuat emrat. E dimë këtë sepse jemi fqinjë, kështu që ju njohim shumë mirë. Ju prireni t’i nënvlerësoni pak njerëzit. Mendoni se keni monopolin e filozofisë dhe jeni trashëgimtarë të Platonit dhe të Aristotelit, por nuk jeni”, tha Rama në panel.
Mirëpo, ky korrigjim i Ramës, nga mediat greke është parë si sulm ndaj gazetarit dhe origjnës së tij.
“E gjitha filloi kur moderatori me origjinë greke John Defterios, një gazetar për dekada në CNN, shqiptoi gabim emrat e Edi Ramës dhe Kryeministrit malazez Milojko Spajiç gjatë fjalimit të tyre.
Sapo të dy udhëheqësit dolën në skenë për debatin, kryeministri malazez thjesht e korrigjoi Defterion për gabimin e tij, pasi në fakt u nxit nga vetë gazetari. Menjëherë pas kësaj, edhe Edi Rama e korrigjoi, por dukshëm i acaruar, duke e akuzuar se i kishte shqiptuar emrat gabimisht sepse është grek.
Në vazhdim të debatit dhe ndërsa diskutonin për investimet në energji që po bëhen në Shqipëri, Edi Rama tha “le ta falënderojmë mentorin tonë Sultan Al Jaber” (Ministri i Energjisë i Emirateve të Bashkuara Arabe) dhe e pyeti Defterion nëse e njihte. Defterio, nga ana tjetër dhe për hir të humorit, u përgjigj me një buzëqeshje “si mos të jem i sigurt se kush është ai (Sulltani Al Jaber)”, duke ftuar audiencën të duartrokiste.
Kryeministri shqiptar, i cili me sa duket nuk e kuptoi shakanë, e talli gazetarin duke i thënë: “Si grek, duhet ta kishe njohur. Kështu bën ti, gjithmonë i nënvlerëson njerëzit sepse mendon se ke monopol mbi filozofinë dhe je trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Platonit dhe Aristotelit”, duke shtuar menjëherë më pas: “Por ti nuk je.””, shkruan media greke Protothema lidhur me rastin./tvklan.al/







