Avdullah Hoti deputet i zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkaur dorëheqjen e kryetarit aktual të kësaj partie Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se në këtë parti standardi i dorëhejqes pas rezultatëve të dobëta është vendosur në vitin 2021 dhe se kjo është mbështetur edhe nga Abdixhiku.
“Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të Kryetarit të LDK-së, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje. Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh Kryetarin e ri të LDK-së. Kaq. Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë statutare është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së.Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse”, ka shkruar Hoti.
Ai ka thënë se LDK ka nevojë riorganizim dhe lidership të ri pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke paralajmëruar dorëheqjen nga organi drejtues i partitsë nëse nuk hapet rrugë për një gjë të tillë.
“Pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi. Për këtë arsye, në takimin konsultativ të para dy ditëve kam paralajmëruar qartë se, nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hapet rruga për një reformim të tillë, do të pasojë dorëheqja ime nga organet drejtuese të LDK-së. Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së”, ka shkruar Hoti.
Hykmete Bajrami të mërkurën njoftoi dorëheqjen nga pozita e nënkryetares së partisë, e cila tha se ka kërkuar që të njëjtën gjë ta bëjë edhe kryetari i partisë Lumir Abdixhiku.
Ky i fundit në një reagim tha se ka ofruar dorëheqjen dhe se për këtë duhet të vendos Kuvendi i partisë.







