I dyshuari i arrestuar për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës është shtetasi serb Slobodan Radenkoviq nga Zveçani, kanë bërë të ditur burime të Tëvë1.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në koordinim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar, ka arrestuar personin me inicialet atë, i cili dyshohet për një sërë veprash penale të rënda.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit.
“S.R. është arrestuar në Zveçan me urdhër të Prokurorisë Speciale. Ai dyshohet për bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në vendbanimin e të dyshuarit janë sekuestruar prova materiale që do të përdoren në procedurën penale. Brenda afatit ligjor, ndaj tij do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale po vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore në përputhje me ligjin”, thuhet më tej në njoftim.
Sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës ndodhën në maj të vitit 2023 në Zveçan, ku disa pjesëtarë të forcave ndërkombëtare dhe të Policisë u lënduan gjatë përplasjeve me turma të dhunshme.
Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar për arrestimin e të dyshuarit.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari akuzohet për disa vepra penale, përfshirë bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, sulm ndaj personit zyrtar, si dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm.
Policia ka bërë të ditur se më 14 janar 2025, pas veprimeve të vazhdueshme hetimore, njësitë përkatëse kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin, shtetas i Kosovës.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar prova materiale që lidhen drejtpërdrejt me rastin.
Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ngjarjet në Zveçan në maj 2023 u shoqëruan me protesta të dhunshme nga serbët lokalë, të cilët kundërshtonin zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.
Ky është i dyshuari për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës









