Në fillim vit, në Shtëpinë e Bardhë erdhi për herë të dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
E presidenti i 45-të i shtetit më të fuqishëm në botë, disa herë e përmendi Kosovën.
Ai tha se edhe tash, edhe në mandatin e parë, i ndaloi disa konflikte ku përfshihet edhe Kosova me Serbisë.
“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi. Ne arritëm ta parandalonim, por kam një mik në Serbi që tha se do të shkojë përsëri në luftë. Nuk do të them se është Kosova, por është Kosova. Ata po përgatiteshin për një luftë serioze, ne e parandaluam. E parandaluam për tregti. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë: ne nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, kishte deklaruar Trump
Këtë pas Trump-it e tha edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit..”, ishte shprehur Osmani.
Por marrëdhëniet mes Kosovës dhe Amerikës patën ulje dhe ngritje gjatë këtij viti.
Më 12 shtator, Amerika e pezulloi dialogun strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve te Qeverisë Kurti.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet në një qëllim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet të ndërsjellë ekonomik. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga Kryeministri i Përkohshëm Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve”, thuhej nga ambasada amerikane.
Ky pezullim erdhi sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për këto arsye.
“Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, ishte shprehur Kurti.
Por në dhjetor, Kosova u përmend prapë në Shtëpinë e Bardhë.
Kësaj here, Trump e përfshiu vendin në Ligjin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë dokument, si pikë e rëndësishme është edhe dialogu në mes dy vendeve, Kosovë- Serbi, duke kërkuar Aneksin e zbatimit.
“Pasi të arrihet përparim i mjaftueshëm, SHBA duhet të shqyrtojë iniciativa për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet”
Gjithashtu, ShBA-ja garanton përmes këtij dokumenti se nuk preken kufijtë e vendit.
Pavarësisht këtyre hapave në fundvit, marrëdhënien si jashtëzakonisht të ftohta i ka parë njohësi i politikës nga Tirana, Ben Andoni.
“Jashtëzakonisht të ftohta, ose të themi gati të papërfillshme. Domethënë Kosova nuk është më në agjendat e tyre siç ka qenë më përpara ose për shembull autoritet kosovare dikur ose Kosova në Shtëpinë e Bardhë përmendej rëndomtë, përdorej shpesh, ndërsa tani Kosova pothuajse as nuk përmendet fare, nuk përmendet në lajme, nuk përmendet askund. Ky është një shqetësim i madh të paktën për politikën kosovare që mundohet që këtë ngërç të quaj që është ngërç brenda procesit demokratik, por në fakt ky nuk është ngërç i tillë, është ngërç shumë i madh para të ardhmes së Kosovës. Por gjithmonë e më shumë në Amerikë, Kosovës gjithmonë e më pak vend”, thotë Andoni
Për profesorin, Dorajet Imeri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë prindërit e Kosovës.
E për të, ai ka një shembull.
“Në një krahasim me fëmijët që sapo marrin hapat, janë sikur ata fëmijët që me dëshirën më të madhe për të ecur vet nganjëherë edhe rrezikojnë. Kjo do të ishte ndoshta shembulli krahasues. Prindërit qëndrojnë pranë me duar të hapura ndërsa presin në cilin moment do të mund të bien fëmijët e tyre. Pra ndoshta e vetmja formë që të mësohen për të ecur vetëm duke bërë praktikën, duke provuar që të ecin tutje. Kosova ende nuk i ka 18 vite, pra akoma nuk është një i ri, në kuptimin që akoma është adoleshent edhe si moshë, në kuptimin e rritjes së saj. Por gradualisht Kosova duhet të mësohet të sillet si shtet por mbi të gjitha duhet të mësohet të dëgjohet dhe të flas. Shteti është proces, shteti është edhe procedurë, në fund të ditës shteti është edhe aftësi. Kurrkush nuk e ka ndal Kosovën me lobu në SHBA, kurrkush nuk e ndale Kosovën me bashkëpunu në aspektin ekonomik, me pas partneritete në industri të rënda që janë shumë të vlefshme për Amerikën”, shprehet Imeri
Pezullimi i Dialogut Strategjik në mes dy vendeve është pa afat të përcaktuar.






