Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e nderoi këngëtaren Dafina Zeqiri me “Hyjneshën në Fron”, një nga vlerësimet më të larta të qytetit, për kontributin e saj të vazhdueshëm në fushën e kulturës përmes muzikës së saj.
Ky nderim vjen si mirënjohje për ndikimin pozitiv që muzika e saj ka pasur në shoqëri, për mesazhet e dashurisë, barazisë, paqes dhe vetëbesimit që ajo përcjell, si dhe për angazhimin e saj për të kontribuar në jetën kulturore të vendit.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama tha se muzika e saj i frymëzon të rinjtë, u jep vetëbesim dhe trajton tema të rëndësishme si dashuria, barazia, paqja dhe të drejtat e njeriut përmes artit. Rama falënderoi këngëtaren për punën e saj dhe tha se koncerti “SUPERNOVA” po frymëzon një gjeneratë të tërë.
“Unë kam kënaqësinë më të madhe sot ta prezantoj Dafina Zeqirin një artiste të mrekullueshme shqiptarë që na reprezenton në skenat botërore me muzikën e saj e cila është faktikisht stimulon kreativitet tek të rinjtë tanë vetëbesim tek të rinjët tanë. Fol për tema të ndryshme që janë pjesë ë shoqërisë që janë pjesë ku flet për dashurinë për barazinë për paqe për të drejtat e njeriut pra nëpërmjet artit… Sonte është koncerti i parë dita e parë e koncertit SUPERNOVA e nesër do të jetë dita e dytë e koncertit SUPERNOVA ku Dafina me origjinalitetin e saj e inspiron një gjeneratë të tërë prandaj faleminderit shumë për punën e mrekullueshme që e bënë”, tha ai.
Këngëtarja Dafina Zeqiri tha se pa mbështetjen e publikut dhe të Komunës kjo ëndërr nuk do të bëhej realitet. Ajo tha se rikthimi në Kosovë për të bërë muzikë dhe për të kontribuar për rininë ka qenë ëndrra e saj e parë, ndërsa SUPERNOVA SHOË është ëndrra e dytë.
“Pa juve nuk ishe bë kjo ëndërr në realitet, kjo është një ëndërr tjetër e imja. Ëndrra e parë ka qenë të rikthehem në Kosovë me bë muzikë të mirë me kontribu për rininë dhe ëndrra e dytë është kjo SUPERNOVA SHOË dhe nuk do të kishte qenë e mundshme pa mbështetjen e Komunës pa mbështetjen tënde dhe ekipës tënde të mrekullueshme të cilët ju falënderoj përzemërsisht sepse pa juve SUPERNOVA nuk do të ishte. Kam emocione edhe pse po të falënderoj ty për së dyti që këto emocione mi ke zbutur për koncertin e parë sonte dhe nesër”, tha ajo.
Dafina Zeqiri theksoi se kënga “Harrimi i dashurisë” është shumë e veçantë për të, sepse është kënga e parë shqip që e ka incizuar kur ishte vetëm 16 vjeçe.
Ajo u shpreh se reagimi pozitiv i orkestrës dhe bendit gjatë provave e emocionoi, sidomos sepse disa prej tyre nuk e dinin që kënga ishte e saj.
“Të them të drejtën është kënga “Harrimi i dashurisë” sepse është kënga e parë shqip që e kam incizuar, i kam pasur vetëm 16 vite kështu që më ka pëlqyer edhe reagimi i orkestrës dhe i bendit kur e kemi ushtruar atë këngë sepse disa prej tyre nuk e kanë ditur që është këngë e imja dhe ta rikthejmë atë këngë mua po më jep emocion ndryshe sot. Po edhe po ma kujton se si kam filluar unë karrierën time ajo ka qenë kënga ime e parë edhe kur po e mendoj se ku kam mbërri sot të jep njëfarë emocioni tjetër”, tha Dafina Zeqiri.
Përveç nderimit të Dafina Zeqirit, Komuna e Prishtinës bëri të ditur se gjatë këtij viti janë ndarë edhe dy “Hyjnesha në Fron” të tjera, për artistin, Armend Rexhepagiqi dhe grupin e njohur “Shkodra Elektronike” si vlerësim për personalitete që kanë dhënë kontribut të veçantë në fusha të ndryshme të jetës kulturore dhe shoqërore, duke vazhduar traditën e mirënjohjes për ata që e promovojnë dhe e përfaqësojnë denjësisht qytetin e Prishtinës.









