Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar pas miratimit të ligjit të ri amerikan për demokracinë në Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar se Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka dërguar një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë ndaj Serbisë.
Musliu ka theksuar se përmes këtij ligji, SHBA ka shprehur shqetësime serioze për gjendjen e demokracisë në Serbi, duke nënvizuar se zgjedhjet janë mbajtur në kushte të padrejta, ndërsa dezinformimi ka arritur nivele alarmante.
Sipas tij, megjithatë, sanksionet reale nuk duhet të kufizohen vetëm në aspektin e demokracisë dhe proceseve zgjedhore, por duhet të lidhen drejtpërdrejt edhe me përgjegjësinë e Serbisë për terrorizmin dhe aktet e sabotazhit.
“Serbia vazhdon të injorojë kërkesat ndërkombëtare për drejtësi”, thekson Musliu në një shkrim në Facebook, duke përmendur rastin e sulmit terrorist në Banjskë, ku Milan Radoiçiq e ka pranuar publikisht përfshirjen e tij, por autoritetet serbe ende nuk e kanë dorëzuar atë para drejtësisë.
Ai ka rikujtuar gjithashtu sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc, për të cilin Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë me akuza të rënda për terrorizëm dhe spiunazh, si dhe dyshime serioze për lidhje me struktura kriminale nga Serbia.
“Serbia nuk dorëzon të dyshuarit, nuk bashkëpunon me organet e drejtësisë, vazhdon dezinformimin kundër Kosovës dhe NATO-s”, ka vlerësuar Musliu.
Sipas ekspertit të sigurisë, hapi i ardhshëm – i pashmangshëm – duhet të jenë sanksione konkrete ndaj Serbisë për përfshirjen tashmë të konfirmuar në sulmet terroriste në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, si dhe për mosdorëzimin e Milan Radoiçiqit, duke e bërë përgjegjës shtetin serb për mungesën e bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.






