Në “Info Nata” në Tëvë 1, Zeqiri i bëri thirrje Qeverisë që ta bëj të pamundurën ta realizojë këtë kërkesë të Policisë, pasi siç thotë ai, e njëjta do të ishte nder për Qeverinë “Kurti”.
“Mendoj se sigurimi shëndetësor për institucionin e vetëm të sigurisë në vend do duhej të bëhej shumë më herët, shumë vite më parë, mos të them që nga vitet e para të pasluftës. Për shkak se vërtetë nuk e di se a ka dikush që mund ta thotë një arsye apo mund ta thotë se kjo që ka ndodhur deri më tani është dashur të ndodh. Prandaj tash jemi ku jemi. Kërkoj nga kjo Qeveri që ta bëjë të pamundurën të na realizojë këtë kërkesë, sepse jo vetëm që do të ishte një ndihmesë shumë e madhe apo një realizim shumë real dhe shumë i nevojshëm për Policinë e Kosovës, por do të ishte nder edhe për këtë Qeveri që institucionin e sigurisë ta bëj me sigurim shëndetësor”, tha ai.
Zeqiri potencoi se sipas llogaritjeve që janë bërë për sigurim shëndetësor për policët, 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një vit.
“Unë mendoj se një 5 milionë euro për një vit, për sigurim shëndetësor për pjesëtar të Policisë së Kosovës, nuk është i papërballueshëm për Qeverinë e Kosovës. Prandaj kjo është kërkesë e jona, që të bëhet menjëherë, të filloj me një projekt dhe të merremi vesh që kjo të kalojë. Përndryshe ne jemi keq dhe neve na duhet që të veprojmë, mirëpo në këtë pikë ende nuk e kemi si të them, harxhuar atë dialogun apo nuk e kemi marrë një përgjigje nga Qeveria”, shtoi ai. /Teve1.info/