Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndaluar një sasi të konsiderueshme mallrash të dyshuara për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale gjatë kontrolleve në Pikën Kufitare Han i Elezit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të detajuar të bagazhit të një udhëtari janë zbuluar rreth 4.500 copë mallra të ndryshme, përfshirë veshje, etiketa dhe aksesorë metalikë, të cilat mbanin shenja dalluese të markave të njohura tregtare.
Sipas Doganës, dyshohet se këto artikuj mund të përdoren për falsifikim dhe prezantim të produkteve jo origjinale si mallra të markave të njohura.
“Dogana thekson se ndalimi i etiketave dhe aksesorëve me shenja të mbrojtura tregtare është i domosdoshëm, pasi përdorimi i tyre dëmton drejtpërdrejt mbajtësit e markave, mashtron konsumatorët dhe cenon konkurrencën e ndershme në treg, edhe në rastet kur ato importohen veçmas nga produktet. Mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit të përfshirë është iniciuar procedurë kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe në parandalimin e importit dhe qarkullimit të mallrave të paligjshme”, thuhet në njoftimin e Doganës./teve1.info/








