Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka komentuar zgjedhjet lokale dhe situatën politike në Mitrovicë në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1. Ajo u shpreh për përpjekjet e partive dhe kandidatëve për t’u pozicionuar në skenën politike, duke përfshirë edhe kandidaturën e Faton Pecit.
Gërvalla theksoi se Peci, edhe pse një kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte mundësinë të kandidonte si pjesë e koalicionit GUXO-LVV, por ai nuk e ka shfrytëzuar këtë mundësi. Sipas saj, Peci mund të kishte dalë me logon e dy partive, si një kandidat i koalicionit, por nuk ka bërë një hap të tillë.
“Koalicion është aty, ai është kryetar i partisë GUXO, dhe gjithkush e di që është kryetar i partisë GUXO. Ne në këtë rast kemi kandiduar me logon e LVV-së për të krijuar qartësi rreth asaj se çka qëndron pas kësaj. Përpjekja ka qenë të fitojmë Mitrovicën me njëri-tjetrin, por edhe ata të tjerët nuk e kanë vënë logon e koalicionit. Ata kanë qenë të bashkuar, por nuk e kanë përdorur logon,” tha Gërvalla.
Ajo përmendi gjithashtu se partitë si LDK, PDK, AAK dhe Nisma, janë një bllok tjetër politik që ka përdorur metoda të ndryshme, disa të pranueshme, disa të papranueshme, për të luftuar suksesin në Mitrovicë.
“Këto parti, si LDK, PDK, AAK, Nisma, kanë përdorur metoda të ndryshme, herë demokratike e herë të pa pranueshme, për të luftuar për suksesin në Mitrovicë,” theksoi Gërvalla.
Sipas saj, kjo tregon se ka një bllokim të mundësive për bashkëpunim të sinqertë dhe të hapur, duke theksuar se LVV ka qenë e angazhuar për një rezultat të qartë dhe të drejtpërdrejtë në zgjedhje.







