Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka shkuar në pauzë, pasi anëtarët e mbledhur të këtij institucioni janë përplasur rreth heqjes nga rendi i ditës së pikës për shqyrtimin e opsioneve dhe afateve të veprimeve për votim përmes postës për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe që ajo të mbahet në një mbledhje tjetër.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së Arianit Elshani kërkoi largimin nga rendi i ditës i pikës për shqyrtimin e opsioneve dhe afateve të veprimeve për votim përmes postës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe ajo të mbahet në një mbledhje tjetër.
“Është diskutuar gjatë në operacionet e këshillave zgjedhore. Unë e konsideroj që vendime të tilla kanë nevojë për konsensus të gjithë anëtarëve të KQZ-së si vendimmarrje dhe mendoj që kjo pikë të shtyhet për një mbledhje tjetër… Për këtë po them prapë ka nevojë prej të gjithë anëtarëve të KQZ-së të trajtohet në plotëni rekomandimi i Sekretariatit. Sekretariati ka dalë me tri rekomandime për këtë çështje, ku në operacionet e këshillave zgjedhor është arritur një kompromis për dy opsionet për të cilat janë në kuadër të këtij propozimi, mirëpo për të hyrë në një diskutim më të gjerë të të gjithë anëtarëve të subjekteve politike do të kemi mundësi ta trajtojmë në tërësi dokumentin dhe kërkoj që të hiqet kjo pikë”, tha Elshani.
Alban Krasniqi nga VV-ja tha se çdo vonesë për shqyrtimin e opsioneve dhe afateve të veprimeve për votim rrezikon të drejtën e mërgatës për të votuar përmes postës.
“Çfarëdo shtyrje është thirrje për të dështuar procesi… Afatet që janë të paraqitura rrezikojnë procesin e dërgimit të zarfeve apo procesin e votimit përmes postës së mërgatës, sepse ne e dimë se afati rrjedh nga data 12 dhjetor…Dokumenti në fjalë i jep përparësi jetësim procedurave që kanë të bëjnë me dërgimin e zarfeve”, tha ai.
Muharrem Nitaj, anëtar i KQZ-së nga AAK-ja, propozoi shtyrjen e shqyrtimit të opsioneve për votim përmes postës për mërgatën.
“Tani, vendimi që na vjen sot, për shembull, qoftë edhe duke i dhënë përparësi versionit të parë që të dërgohen me postë, pra në pjesën e dytë, nëse kjo dështon atëherë duhet të dërgohen përmes platformës. Tash po kërkohet prej nesh në një votim tjetër pas një jave ta shfuqizojmë vendimin e parë… Unë s’mund ta votoj në pako një situatë që mund të ndodhë pas tri ditësh. Nëse dështon posta, atëherë unë kërkoj që të vijë në rend dite problematika dhe të diskutojmë se çfarë do të bëjmë. Nuk mund ta paragjykojmë një votim dhe sot të votojmë sikur të bie Bajrami në Ramazan, çfarë kemi të bëjmë. Nuk mund ta votoj nëse nuk ndahet kjo pjesë”, tha ai.
Nitaj hodhi poshtë pohimet e anëtarit të VV-së Alban Krasniqi në mbledhjen e KQZ-së se është kundër votimit të diasporës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së Arianit Elshani propozoi që raporti i Sekretariatit duhet të shpërndahet te të gjithë anëtarët e KQZ-së që të trajtohet nga secili anëtarë, duke kërkuar kështu të ketë një pauzë pas së cilës do të kthehen për vazhdimin e mbledhjes.
Kryesuesi i KQZ-së Kreshnik Radoniqi tha se do të tërhiqen për një pauzë pas së cilës do të vazhdojnë sërish me diskutime në mbledhje.








