Paraprakisht u morën masat e sigurisë.
Përveç Policisë së Kosovës, pranë komunës së Mitrovicës së veriut u pozicionuan edhe pjesëtarë të KFOR-it, për ta monitoruar situatën.
Krejt kjo pasi që në orën 11:00 brenda sallës së Kuvendit Komunal, pritej të fillonte seanca për betimin e kryetarit të ri të kësaj komune, Milan Radojeviq nga Lista Serbe.
Brenda sallës, të vendosur mbetën fotografia e presidentes së vendit, Vjosa Osmaani dhe flamuri i Kosovës.
Nuk vonoi shumë, erdhi edhe kryetari i ri, Radojeviq bashkë me asamblistët komunal.
Me ti zënë vendet, Marko Jakshiq asamblist nga Lista Serbe vendosi flamurin e “botës serbe” mbi tavolinë.
Kjo bëri që seanca të ndërpritet për 1 orë pasi që zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, u thirrën në ligjet në fuqi se një veprim i tillë nuk lejohet.
Pas disa diskutimeve me përfaqësues ndërkombëtarë nga BE dhe ambasada amerikane, Lista Serbe u kthye në sallë.
E Jakshiq e largoi edhe flamurin e “botës serbe” .
Pas këtij veprimi, radha i erdhi shpërndarjes së fletushkave me simbole të Kosovës mbi të cilën ishte edhe teksti për betim.
Milan Radojeviq, paraprakisht e nënshkroi betimin, më pas u betua edhe me zë.
“Të nderuar këshilltarë, ju është dhënë mandati që të punoni së bashku në mënyrë të njëtrajtshme në Komunën e Mitrovicës së Veriut, të punoni në interes të qytetarëve dhe në interes të komunës. Besoj se së bashku do t’iu sjellim qytetarëve tanë prosperitet, do të mundësojmë një jetë normale dhe përsëri do të jemi krenarë për atë multietnicitet dhe bashkëjetesë që ekziston në komunën tonë”.
Fjalë morën edhe asamblistët shqiptarë nga radhët e dy partive, Aida Doli nga LVV dhe Emir Azemi nga PDK.
“Ne jemi këtu të gjithë të barabartë nuk ka nevojë asgjë të politizohet. Kemi ardhë në mbledhje solemne, ta përfundojmë këtë procedurë ashtu si e don ligji, rendi, dëshirat mund të jenë të tjera kjo është ajo që duhet të respektohet. Mos te politizojmë”, deklaroi Azemi.
“Ne që jemi në këto ulëse, e kemi marrë besimin për atë që përfaqësojmë. Nuk kemi nevojë të bëjmë pyetje, a frikësohemi apo jo, ne jemi këtu për të konstituuar kuvendin komunal të Mitrovicës së veriut”, deklaroi Aida Doli – asambliste e LVV-së.
Ndërsa një qytetar për Tëvë1 u shpreh se shqiptarët dhe serbët duhet të bashkëpunojnë për të mirën e qytetit.
“Të jetë një qytet, të shohim, të bashkëpunojmë, të jemi njerëz. Kupton? Unë kështu e shoh këtë. Çka? Të grindemi për një shekull? Çka? E kuptoj, nga padurimi është kjo. Krejt Ballkani është i mallkuar. Ne do të zhdukemi, edhe shqiptarët, edhe serbët, edhe kroatët, na nuk jemi normalë! Budallenj! Ejani të bashkëpunojmë, vëlla, të pimë kafe, kupton? Të jetojmë, ore budallenj janë ata!… Nuk e di, unë nuk jam nga këtu, jam poshtë nga Rashka. Në momentin që është në Listën Srpska është kriminel, fajtor”, u shpreh ai.
Në fund të seancës, kryetari i ri, Milan Radojeviq tentoi të hynte në zyrën e kryetarit, por dera ishte e mbyllur.
Andaj javën e ardhshme, pritet të thirret seanca për dorëzim pranimin e detyrës.
Jashtë objektit, vazhdimisht kishte patrullimet të KFOR-it.






