Fadil Fazliu i cili po mbahet në paraburgim nën akuzën se ka qenë i përfshirë në veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe pengim të procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka kërkuar që të lirohet me kusht duke ofruar një dorëzani prej 40 mijë eurosh.
Një shumë kaq të madhe, njëjtë kohë më parë e kishte ofruar edhe i bashkakuzuari i tij, Isni Kilaj.
Sipas mbrojtjes së Fazliut, gjykimi nuk do të fillojë më 15 dhjetor dhe ka pak gjasa që të fillojë përpara marsit 2026, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mbrojtja gjithashtu thotë se ka përfunduar faza e paraqitjes së provave nga Prokuroria dhe mbrojtja në çështjen e Hashim Thaçit dhe të tjerëve për krime lufte dhe rrjedhimisht çdo rrezik për pengim është zvogëluar ndjeshëm.
Sipas mbrojtjes, sa i përket rrezikut të arratisjes, Fazliu s’ka pozitë politike dhe s’ka pasaportë shqiptare. Andaj, mbrojtja kishte sugjeruar se si kusht për lirim të përkohshëm të vendoset moslargimi i Fazliut nga Prishtina, të dorëzojë të gjitha dokumentet e udhëtimit dhe të ofrojë një dorëzani në shumën prej 40 mijë eurove.
Ndërsa, sa i përket rrezikut që ai t’i pengojë procedurat, mbrojtja thotë se nuk ka asnjë provë që tregon se Fazliu ka manifestuar sjellje të tillë. Rrjedhimisht, mbrojtja ka kërkuar që Fazliu të lirohet deri kur të fillojë gjykimi në këtë rast.
Ndryshe, në sallën e gjyqit janë të pranishëm fizikisht vetëm Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ndërsa Thaçi, Smakaj, dhe Kuçi janë të pranishëm përmes video-lidhjes. Përmes videolidhjes janë të pranishëm edhe disa nga avokatet.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /BetimipërDrejtësi




