Avokati, Yll Zekaj ka reaguar ndaj abstenimit të disa përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë votimit për rekomandimin për certifikimin e Listës Serbe, duke e cilësuar atë si mungesë guximi politik.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Zekaj është shprehur se subjektet politike duhet të kenë integritet të plotë duke votuar qartë pro ose kundër një vendimi, e jo të shmangin përgjegjësinë përmes abstenimit.
“Më befason fakti i abstenimit në këtë proces. Partitë politike që përfaqësohen në KQZ duhet të kenë një integritet më të fortë politik: ato duhet të jenë qartë pro ose kundër. Abstenimi në procedura administrative është votë kundër, por pa guxim për ta deklaruar. Absolutisht i konsideroj parti politikisht të paguximshme”, ka thënë Zekaj.
Sipas tij, disa parti politike hezitojnë të shprehen hapur nga frika se si do të perceptohen nga publiku nëse kundërshtojnë një vendim të caktuar.
Ai ka theksuar se detyra e tyre është të ruajnë rendin juridik e kushtetues dhe të marrin qëndrime të qarta, sidomos në çështje të ndjeshme institucionale.
“Përderisa Lëvizja Vetëvendosje po ndërmerr veprime që po konsiderohen të kundërligjshme, të tjerat nuk po guxojnë t’i kundërshtojnë për shkak të frikës se si do të duken në opinionin publik nëse e bëjnë një kundërshtim të tillë. Unë gjithmonë jam për respektimin e ligjit dhe kushtetutës, pavarësisht pasojave të vendimeve. Është i çuditshëm reagimi i partive të tjera, sepse po e shohim që rezultati i votimit është pothuajse i njëjtë vetëm një ose dy vota kundër një iniciative të tillë. Besoj se partitë e kanë për obligim ta ruajnë dhe respektojnë rendin juridik, kushtetues dhe bazën ligjore. Nuk them se duhet të jenë patjetër kundër; duhet të analizohet baza ligjore, kushtetuta dhe ligji, e pastaj të merren vendime të tilla”, ka deklaruar ai.
Megjithëse kritik ndaj abstenimeve, Zekaj ka shprehur qëndrim edhe ndaj vetë vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe, duke e vlerësuar këtë vendim më shumë si “populist” sesa të mbështetur në baza ligjore.
“Absolutisht, ky është një vendim i përsëritur tashmë për herë të tretë nga ana e KQZ-së, dhe unë e konsideroj më shumë si vendim populist sesa si vendim me bazë ligjore. Argumentimi për këtë çështje është shtjerrur përmes vendimeve të KQZ-së, PZAP-it dhe Gjykatës Supreme. Gjykata Supreme dhe PZAP-ja kanë konfirmuar se një bazë e tillë nuk mund ta kalojë filtrin ligjor, sepse arsyeshmëria e moscertifikimit të një subjekti politik nuk mund të mbështetet në deklarata policore, por vetëm në bazë të fortë ligjore, gjë që LVV-ja, si propozuese e këtij vendimi, nuk ka arritur ta argumentojë as herën e parë e as herën e dytë,” ka deklaruar Zekaj.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të martën pasdite.
Vendimi u kritikua nga Serbia dhe nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, i cili tha se është “i zhgënjyer dhe i shqetësuar thellësisht”./teve1.info/







