Në një nga këto shtëpi po qëndronte një person me urdhërarrest ndërkombëtar.
A.B me nënshtetësi të Suedisë po kërkohej nga ky shtet nën dyshimin për disa vepra penale.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka treguar se ai dyshohet të ketë vepruar si drejtues i një grupi kriminal, ku në bashkëkryerje ka blerë armë dhe municion me qëllim që t’i shesë.
“Gjithashtu, i njëjti dyshohet se me qëllim mashtrimi ka falsifikuar dokumente dhe ka vjedhur identitet të huaj. Lidhur me rastin, autoritetet e Kosovës kanë mbajtur kontakte dhe bashkëpunim të ngushtë me autoritetet policore të Suedisë, për arsye se i dyshuari A. B. ishte shtetas i Suedisë dhe në kërkim ndërkombëtar nga shteti në fjalë. Falë bashkëpunimit të vazhdueshëm profesional me autoritetet policore të Suedisë dhe nën autoritetin e PSRK-së, me datën 01.12.2025 është arritur të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit dhe arrestimi i tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale bashkë me policin
Po ashtu, në një komunikatë të përbashkët është bërë e ditur edhe për provat e sekuestruara gjatë këtij aksioni.
“52480 euro para të gatshme, patentë shofer suedez –me dyshim te falsifikuare nr, 27242813 në emër te një personi tjetër, letërnjoftim suedez – me dyshim te falsifikuare nr, 2365959 ne emër te një personi tjetër, tre (3) telefona celularë, orë Rolex ngjyra e bardhe –ari, një HDD SEAGEATE P/N. 1TEAPS-500, një DVR , një veturë. Ndërsa, gjatë operacionit të parë policorë të datës 12.03.2023, gjatë kontrollit të kryer në prona/shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale ishin sekuestruar: njëzet (20) armë (AK-47), njëzet (20) karikator (AK-47), dy automjete, gjashtë telefona si dhe dokumente relevante për rastin”, thuhet tutje në njoftim
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e ndalimit 48 orësh ndaj të dyshuarit, ku edhe pritet kërkesa për paraburgim nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ndaj tij rëndojnë katër vepra penale si: “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”, “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “falsifikimi i dokumenteve” dhe “vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”.






