Sipërmarrësi i teknologjisë në Kosovë, Ermal Sadiku, ka zbuluar të mërkurën në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 arsyet e aderimit të tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sadiku ka thënë se LDK-ja ishte partia e parë dhe e vetmja që i ofroi mundësinë për të kontribuar në nivel profesional dhe politik në fushën e teknologjisë.
Ai ka shtuar se për të personalisht, LDK-ja është partia më demokratike në vend, pasi ka zgjedhje dhe luftë të brendshme.
“Kam dëshirë të lë gjurmë në këtë vend që e dua shumë dhe mendoj se mund të kontriboj në fushat ku kam eksperiencë në profesion dhe biznes. Mendoj se ky është momenti i duhur, sepse ajo që bëj në punë inxhinieria dhe teknologjia është e ardhmja e botës, dhe Kosova nuk mund të qëndroj prapa. LDK-ja ka qenë partia e parë që më është afruar në mënyrë profesionale dhe më ka ofruar mundësinë për të udhëhequr këtë pjesë të partisë, dhe ndoshta më vonë edhe të shtetit të Kosovës. Për mua personalisht, LDK-ja është partia më demokratike në vend. Ka zgjedhje dhe luftë të brendshme, është partia më e vjetër në Kosovë dhe ka një ekip të fortë të ndërtuar nga kryetari Lumir Abdixhiku. Ata kanë ditur çfarë dëshironin nga unë dhe çfarë mund të ofroj, dhe më kanë lejuar që njohuritë e mia të përdoren për të bërë ndryshime pozitive në këtë vend. Kjo ka qenë arsyeja kryesore për aderimin tim”, ka thënë Sadiku.
I pyetur nëse mjafton vetëm guximi për t’u përfshirë në politikë, Sadiku është shprehur:
“Jo, mendoj se guximi nuk është i mjaftueshëm. Nuk është e lehtë, politika në Kosovë është demonizuar dhe partitë po ashtu. Unë kam hyrë në LDK, një nga partitë më të respektuara në vend, dhe ndihem shumë krenar që më është bërë ftesa. Dua të rri aty me integritet dhe dinjitet. Nuk është vetëm punë guximi, por duhet të kesh të qartë çfarë dëshiron dhe çfarë mendon se mund të bësh, përndryshe mund të dështosh dhe të zhgënjehesh”, ka shtuar ai.







