Policia Rajonale e Ferizajt ka realizuar një aktivitet vetëdijesues në qendër të qytetit, në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Në bashkëpunim me përfaqësues të Komunës së Ferizajt, Qendrës për Punë Sociale, Mekanizmit Ndërinstitucional Kundër Dhunës në Familje dhe akterë të tjerë lokalë, policia ka shpërndarë fletëpalosje sensibilizuese dhe materiale informuese për qytetarët.
Materialet e shpërndara bartnin mesazhin kryesor: “Zëri që dikur heshti, sot dëgjohet”, si dhe thirrje për vetëdijësim si “Ndal dhunën në familje”, “Forca nuk qëndron në dhunë”, “Mos e prano dhunën si pjesë të dashurisë”.
Policia e Kosovës ka bërë apel që rastet e dhunës në familje të raportohen menjëherë në institucionet përgjegjëse, duke theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është jetik për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës.
Rastet mund të raportohen në stacionin më të afërt policor, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, ose në numrat: 192, 0290/326-250, 0290/322-406.
“Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftim. /teve1.info/










