Një ushtrim të përbashkët e realizuan dy institucionet e sigurisë në vend bashkë me ato ndërkombëtare.
Së fundi, Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR u bënë bashkë në ushtrimin “ Shpata e Artë”
Qëllimi i këtij ushtrimi të përbashkët sipas Policisë, ishte fuqizimi i bashkëpunimit dhe koordinimit për reagim emergjent në raste të incidenteve kritike, situatave kur kërkohet angazhim dhe bashkëpunim ndërinstitucional në ruajtjen e sigurisë publike duke reflektuar bashkëpunimin shumë të mirë institucional dhe përpjekjet e përbashkëta për të garantuar një ambient të sigurt.
Ushtrimi “Shpata e Artë” u ndoq nga afër nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, komandanti i KFOR-it, EULEX-i, FSK-ja, si dhe eprorë të lartë nga Policia e Kosovës.
Njohësit e sigurisë thonë se ky bashkëpunim ndërinstitucional tregon forcën për të kontrolluar çdo situatë që mund të përballet vendi.
“Kjo është jashtëzakonishte mirë në aspektin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit në një situatë hipotetike të kontrollit të turmave apo prishjes së rendit dhe qetësisë në mas më të madhe të cilat koordinohen edhe në aspektin e bashkëpunimit të bashkëveprimit të koordinimit të trupave duke pasur parasysh se kush është reaguesi i parë, i dyti dhe i treti por edhe një sistemi të menaxhimit të situatave”, deklaroi njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Në anën tjetër, njohësi i sigurisë, Avni Islami theksoi se kjo ka ardhur pasi që EULEX dhe KFOR e kanë kuptuar situatën e sigurisë, e cila sipas tij vazhdon të jetë e brishtë.
“Kjo tregon se mekanizmat ndërkombëtar e kanë kuptuar situatën dhe se një ushtrim i përbashkët dhe një sinkronizim dhe koordinim i mekanizmave institucional të sigurisë garantojnë paqe dhe siguri. Në anën tjetër ky ushtrim i përbashkët tregon besueshmërinë e forcave të sigurisë së Kosovës sidomos atyre të Policisë së Kosovës e cila ka treguar një profesionalizëm të lartë, gjatë rastit të Banjskës dhe duke luftuar të gjitha të këqijat që mund të ndodhin në vendin tonë”.
Detaje për ushtrimin kanë dhënë dhe nga KFOR-i.
Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, e përshkroi ushtrimin si një demonstrim të qartë të gatishmërisë, integrimit dhe ndërveprimit midis kontingjenteve shumëkombëshe të KFOR-it, si dhe të bashkëpunimit efektiv me organizatat e sigurisë së Kosovës — duke kontribuar në sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe në stabilitetin rajonal.






