Duke uruar qytetarët në këtë ditë çlirimi, krerët shtetëror u zotuan se do të angazhohen për drejtësi për të gjitha viktimat, dëmet dhe vuajtjet e shkaktuara te popullit i Kosovës nga forcat serbe.
Presidentja Vjosa Osmani shprehu falënderimin dhe përkulje për kontributin e të gjithë atyre që trasuan rrugën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ajo me këtë rast tha se ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova është arkitekt i pavarësisë, i cili ndërtoi ura miqësie që edhe sot i shërbejnë Kosovës.
“Këtë ditë e cila simbolizon shumëçka për të gjithë qytetarët tanë, gjithë popullin e Kosovës që për dekada të tëra ishte i shtypur nga regjimi gjenocidal i Millosheviqi, më 12 qershor të gjitha forcat serbe u larguan nga Kosova pas krimeve të llahtarshme që kishin kryer ndaj popullatës civile në Kosovë dhe në Kosovë hynë forcat e NATO-së, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe u rikthyen edhe civilët të cilit ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të dëbimit masiv dhe spastrimit etnik ndaj popullit të Kosovës. Prandaj, në këtë ditë ne mbi të gjitha shprehim falënderimin dhe përkuljen tonë para kontributit të gjithë qytetarëve të Kosovës në mënyrë që ne ta gëzojmë lirinë e mbi të gjitha shprehim falënderimin tonë dhe përkushtimin tonë për të ecur përpara në rrugën e atyre që e trasuan rrugën tonë përpara për liri dhe pavarësi. Filluam duke nderuar arkitektin e pavarësisë, presidentin historik, Ibrahim Rugova i cili mbi të gjitha e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës edhe para gjithë botës duke ndërtuar kështu ura miqësie të cilat edhe sot e kësaj dite i shërbejnë Kosovës për të ecur përpara”, deklaroi presidentja Osmani./Teve1.info