Autore: Adea Mustafaj
Prej disa ditësh, punimet në sheshin “Xhorxh Bush” kanë rinisur.
Tashmë një pjesë e rrugës veçse është betonuar.
Në një përgjigje për Tëvë1, zëvendësdrejtoresha e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Rrezarta Loxha –Vitaku, ka treguar se punimet po kryhen duke u respektuar ndalesa e vendosur nga ky institucion.
“Në lidhje me pyetjen tuaj ju njoftoj se sipas informatave nga QRTK Prishtinë, punimet janë duke u zhvilluar jashtë Zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës”, ka thënë ajo.
Pas fitores së kryetarit të tanishëm të Prishtinës, Përparim Rama, nga komuna janë të bindur se punimet do të vazhdojnë sipas planit.
“Punimet kanë arritur në këtë fazë ku kemi bërë këtë ndërlidhje e pjesës së sheshit me katedralen. Jemi në zonën e cila nuk është në të ashtuquajtur zonen e mbrojtur. Edhe punimet janë duke vazhdu me tempo… Nuk ka ndonjë kohë të caktuar se sigurisht se po varmi prej faktorëve të tjerë”, u shpreh Pëllumb Bajçinovci nga Komuna e Prishtinës.
E qytetarët e kryeqytetit vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme, në lidhje me vendimin e qeverisjes lokale për ka shndërruar këtë rrugë ne shesh.
“Unë mendoj që këtu në radh të parë nuk është dashur fare të fillohen punimet pa marr gjitha lejet e duhura….Mund të jetë që ky do të dukej bukur sigurisht. Nuk dua të hi atje se si do të doket pamja, por megjithëatë kjo pjesë këtu është gjithçka për shqiptarët…ka qenë simbol I çdo gjoje që ju ka ndodh shqipëtarëve do të thotë për krejt shqiptarët e ish-Jugosllavisë dhe kqyre qysh e kanë deformu, tash e deformojn sheshin. Unë se di çka do që thomëështë e tepërt, unë s’jom ekspert po qeto e di”, ka thënë Demi Bërdemaj.
“Unë mendoj qëkur ka fillu ka qenë ide e qëllume e kryetarit aktual dhe kryetarit tashëm që e kena për kryetar të komunës. Unë besoj që ka qenë shumë e qëllume si shesh edhe pse jo, pse mos me vazhdu deri te gjamia e madhe qysh e ka dhon premtin…. Çdo kryeqytet të botës ka kolona dhe ka komunikacion të dendur kështuqë ka mujt me një përqindje shumë të vogël me ngarku komunikacionin, por jo në atë ekstremitetin sa të tjerët e përshkrujnë” , shprehet Besnik Halili.
Deri më tani, sipas vlerësimeve të komunës, në sheshin “Xhorxh Bush” janë kryer 27 për qind e punimeve të projektit në vlerë 18.1 milionë euro.



