Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi tha se përkundër që për katër vite me radhë janë shtuar shërbimet, nuk është rritur numri i punëtorëve në ShSKUK, prandaj kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që t’u lejohet shtimi i burimeve humane.
“Është shumë i rëndësishëm, absolutisht i rëndësishëm pasi që ShSKUK përballet me mungesë të stafit në mënyrë të veçantë kjo mungesë është shumë e madhe përveç fushave specialistike, mungesat më të mëdha i kemi në stafin e mesëm infermierorë, përfshirë jo vetëm infermierë por edhe teknikë laborantë por edhe teknikë të rëntgenit, edhe teknikë të anestezionit, si dhe drejtime të tjera të fushave si infermierisë. Në bisedimet e vazhdueshme me MSh, kemi bërë të njohur nevojën dhe kemi arsyetuar nevojën për vazhdimin e kontratave të stafit aktual dhe jo vetëm që nevojitet vazhdimi i këtyre punëtorëve që janë të angazhuar përmes MSh-së, por ShSKUK ka nevojë edhe për rritjen e të punësuarve. Ne kemi bërë edhe kërkesën zyrtare te MSh dhe shpresojmë shumë që ministria dhe Qeveria do të gjejë mënyrën që stafit aktual t’u vazhdoj kontrata…. Prandaj është nevojë imediate që të lejohet madje edhe rritja e numrit të të punësuarve në ShSKUK, sidomos në stafin infermierorë por patjetër edhe në shërbimet tjera profesionale teknike”, u shpreh Krasniqi.
Lidhur me mungesën e anesteziologëve, ai tha se janë të angazhuar për të gjetur alternativa në mënyrë që të plotësojnë këto mungesa, derisa u shpreh se aktualisht janë pranuar 4 anesteziologë.
Krasniqi ka folur edhe për kundërshtimet e kardiologëve invaziv kundër ndryshimit të statutit të QKUK-së, përmes të cilit ata bashkoheshin me Kardiologjinë.
Ai tha se ky statut po zbatohet dhe vetëm brenda një jave në repartin e kardiologjisë invazive janë zhvilluar 50 koronografi dhe mbi 30 stentime.
“Ka pas kundërshtime nga një pjesë e kardiologëve që quhet Kardiologjia Invazive, mirëpo të gjithë përfshirë drejtorin e Kardiologjisë dhe mjekët me kohë janë informuar për ndryshimin e statutit të QKUK-së, përmes të cilit pjesa e kardiologjisë invazive i ribashkohet përsëri Kardiologjisë dhe ata të cilët kanë kundërshtuar janë zëvendësuar me udhëheqës të tjerë të shefave dhe reparteve përkatëse dhe puna ka vazhduar. Vetëm gjatë javës së kaluar nga data 23, deri të hënën janë realizuar mbi 50 koronografi dhe mbi 30 stentime, kështu që plotësim-ndryshimi i statutit, statuti i QKUk-së është obligativ për të gjithë ne, për mua dhe për të gjithë ata që kanë kontratë të punës me institucionin publik, në këtë rast me QKUK dhe aty nuk ka alternativ zbatimi i këtij statuti…Dy shefat të cilët nuk kanë pranuar pozitat e reja në kuadër të asaj, janë zëvendësuar me shefat të ri dhe ka vazhduar puna..Perdersia ky statut është në fuqi ai po zbatohet dhe do të zbatohet në rast se vjen ndonjë masë e përkohshme, në rast se vijnë ndryshime të tjera, ne i zbatojmë”, u shpreh Krasniqi.
E lidhur me pritjet e gjata për të marrë shërbime operative dhe mjekësore në disa klinika të QKUK-së, drejtori i këtij institucioni, Valbon Krasniqi deklaron se po synojnë që brenda këtij viti të zvogëlojnë listat e pritjes në 50%, derisa u shpreh se revidimi i listave ka përfunduar.
Sipas tij, situatë më të rënduar me listë të pritjes po ballafaqohen pacientët në Klinikën e Ortopedisë, Kirurgjinë Vaskulare dhe në Klinikën e Kardiokirurgjisë.
“Listat e pritjes është një nga aktivitetet kryesore të ShSKUK-së që është adresuar gjatë këtij vitit, madje është edhe objektiva e dytë dhe top prioritet i punës sonë gjatë këtij viti. Dhe në kuadër të këtij aktiviteti ne kemi themeluar një grup profesional për të analizuar në hollësi shkaqet e krijimit të listave të pritjes… Ka klinika apo patologji që ka mungesë të mjekëve apo profesionistëve për të kryer shërbimet, ka klinika në të cilat është e pamundur të sigurohen i gjithë materiali shpenzues shembull një analizë që kemi bërë për proteza të gjurit dhe kërllokurave vetëm ai material na kushton mbi 2 milionë e gjysmë euro për ata pacientë që janë në lista të pritjes në disa raste kemi mungesë edhe të stafit të mesëm si instrumentarëve, teknikëve të anestezisë, pra janë disa shkaqe dhe jo vetëm mungesa e anesteziologëve që kanë sjell deri tek krijimi i këtyre listave të pritjes. Dhe ne për këtë vit synimi ynë është që së paku në 50% edhe sa i përket numrit të pacientëve edhe sa i përket vëllimit të punëve synojmë të zvogëlojmë gjatë vitit 2022 në mënyrë që pastaj deri në vitin e ardhshëm të mund të fillojmë pothuajse me pritje minimale për pacientët”, theksoi ai.
Sistemi shëndetësorë publik në Kosovë vazhdon të referojë pacientë jashtë vendit për sëmundje të ndryshme.
E në këtë drejtim kreu i ShSKUK-së, thotë se të gjitha investimet i kanë orientuar te klinikat ku më së shumti referohen pacientë për shërbim jashtë vendit, duke theksuar si situatë më të rënduar në Ortopedi dhe Hematologji Pediatrike.
“Investimet, edukimi dhe ngritja profesionale bëhet pikërisht në drejtim të atyre fushave ku pacientët referohen. Ende e kemi situatën e rënduar në Klinikën e Ortopedisë dhe sidomos në repartin e Hematologjisë Pediatrike ku janë disa procedura ose edhe sëmundje të tjera të cilat aktualisht Kosova dhe në fakt si institucione shëndetësore publike nuk kemi kapacitete për t’i kryer…Tani për tani nuk kemi kardiokirurgë pediatër të aftësuar për të kryer në mënyrë të pavarur këto intervenime dhe investimet edhe ministri i Shëndetësisë, edhe ne si ShSKUK, jemi të orientuar dhe do të kemi edhe bashkëpunime me shtetet tjera për të trajnuar mjekët tanë që në një të ardhme të afërt të mund të trajtohen fëmijët me ç’rregullime në zemër edhe këtu në Kosovë nga ana e mjekëve kosovarë”, u shpreh ai.
Në cilësinë e infektologut, Valbon Krasniqi foli edhe rreth sëmundjes së re të përhapur në botë e njohur si lija e majmunit.
“Sigurisht që ne e përcjellim me vëmendje situatën me vendet e rajonit, por edhe më gjerë dhe në rast se eventualisht paraqiten, atëherë që sigurisht spitalet tona do të jenë të përgatitura për trajtimin e tyre….. Nga ajo që dihet deri tani të paktën është nuk e ka mundësinë e përhapjes sikurse COVID-i dhe shpresojmë që mos ta merr atë fuqi dhe atë shpejti por duhet të presim se si po zhvillohet situata”, tha ai.
Qytetarët e Kosovës edhe gjatë këtij viti kanë blerë barna por edhe material shpenzues, e lidhur me këtë drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi thotë se në kuadër të planifikimeve dhe kërkesave që vijnë nga klinikat dhe spitalet, një përqindje e madhe e barnave nga lista esenciale por edhe materialit shpenzues realizohet. /KP