Szunyog është shprehur se zbatimi i aktgjykimit do të kontribuonte në integrimet dhe aspiratat e mëtutjeshme evropiane të Kosovës, shkruan teve1.info
“Përveç demonstrimit të përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit si një nga parimet udhëzuese të Bashkimit Evropian dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, zbatimi i aktgjykimit do të kontribuonte në një dialog shumë të nevojshëm ndërkomunitar në Kosovë. Vitet që kanë kaluar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e pakësojnë, por përkundrazi e përforcojnë nevojën e zbatimit të tij dhe të zbatimit të parimit të sigurisë juridike ku vendimet gjyqësore të formës së prerë zbatohen dhe nuk vihen në dyshim”, ka thënë ai.
Përveç Szunyog, edhe Shtetet e QUINT-it i kanë bërë një thirrje të tillë sot Qeverisë.
Pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese ende nuk është zbatuar, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë se zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike.
Procesi gjyqësor rreth 24 hektarëve tokë dhe pyll në mes Manastirit të Deçanit dhe ndërrmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” ka zgjatur për 16 vjet. /Teve1.info/