Kështu thuhet në raportin “Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve të dhunës në familje gjatë vitit 2021”, i publikuar sot nga Lëvizja Fol.
Drejtoresha në Lëvizjen FOL, Mexhide Demolli u shpreh se dhuna në familje është një prej formave më të përhapura të kriminalitetit në vend, andaj krijimi i mekanizmave të rinj dhe formimi i atyre ekzistues paraqitet si nevojë për luftimin e kësaj dukurie negative.
Sipas raportit, sistemi prokurorial në Kosovë ka arritur të zgjedhë 63% të lëndëve të dhunës në familje në vitin 2021, kurse gjyqësori ka trajtuar 68% të rasteve.
Sfidues për sistemin prokurorial, sipas raportit, mbetet bartja e lëndëve, kurse shqetësues është numri i rasteve të reja që janë raportuar gjatë vitit 2021.
“Shkalla e parë e sistemit prokurorial të Kosovës gjatë vitit 2021 ka arritur të zgjedhë gjithsej 2407 lëndë të dhunës në familje nga 3799 sa ka pasur në punë, përafërsisht 63%. Nga të gjitha lëndët që ishin në punë, 29% të lëndëve të dhunës në familje ishin të trashëguara nga vitet paraprake, ndërsa 71% e tyre ishin lëndë të reja të krijuara gjatë vitit 2021… Shtatë Prokuroritë Themelore gjatë vitit 2021 kishin ngritur aktakuza 2.244 personave për vepër penale të dhunës në familje…Sa i përket sistemit gjyqësor gjatë vitit 2021 në punë kanë pasur 1.312 lëndë të dhunës në familje. Ndërkaq kanë arritur të zgjedhin 895 apo 68% të lëndëve. Shqetësues është fakti se pjesa më e madhe atyre lëndëve ishin të reja të krijuara gjatë vitit 2021. përkatësisht 94% të lëndëve, ndërsa pjesa prej 6% e lëndëve ishin të bartura nga vitet paraprake”, theksoi ajo.
Raporti thotë se sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial kanë arritur të zgjidhin më shumë se gjysmën e lëndëve të dhunës në familje, por krahas këtyre rezultateve Demolli kërkon që rastet e dhunës me familje të trajtohen me urgjencë nga sistemi i drejtësisë në Kosovë.
“Shkalla e parë e sistemit gjyqësor dhe prokuroial në Kosovë ka arritur të zgjedhë më shumë se gjysmën e lëndëve për dhunën në familje më 2021, por ky fakt nuk është i mjaftueshëm për të treguar vendosmërinë dhe seriozitetin e organeve të sistemit të drejtësisë ndaj këtij fenomeni në shoqërinë tonë. Bazuar në këto të dhëna, ne kërkojmë që rastet e dhunës në familje të trajtohen me urgjencë dhe prioritet absolut nga ana e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës”, u shpreh ajo.
Pas publikimit të raportit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier u shpreh se shteti i tij mbetet i përkushtuar ta mbështesë Kosovën për formimin e ligjeve dhe institucioneve përmes të cilave të dobëtit ndihen të mbrojtur.
Hovenier ka përshëndetur hartimin e strategjisë kombëtare për luftimin e dhunës në familje, derisa u shpreh se si SHBA do të vazhdojë mbështetjen për fuqizimin e mekanizmave ekzistues për llogaridhënie dhe integritet. Sipas tij është urgjente që të punohet në parandalimin e dhunës në familje.
“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur dhe ndihmuar Kosovën në këtë rrugëtim të vështirë për të forcuar ligjet dhe institucionet tuaja, ashtu që asnjë qytetar nuk do të mbetet prapa dhe më të dobëtit do të mbrohen. SHBA do të vazhdojë të mbështesë nismat e udhëhequra nga Kosova për të siguruar që të gjitha komunitetet kanë qeverisje përgjegjëse përmes programeve tona ndihmuese për zhvillim dhe trajnim. Ne do të vazhdojmë partneritetin me institucionet e Kosovës për të siguruar që qytetarët të marrin shërbime efikase… Ndër prioritetet strategjike të përgjithshme të SHBA-së është ta shohim që ky vizion për Evropën e plotë e lirë dhe në paqe të arrihet. Kjo nuk mund të arrihet pa Kosovën dhe është me rëndësi që Kosova të ketë sukses dhe ta merr vendin që i takon në këtë komunitet të shteteve demokratike të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Ambasadori amerikan po ashtu theksoi se korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdon ta kërcënojë përparimin dhe stabilitetin e Kosovë. Sipas tij, sundimi i ligjit nuk mund të jetë çështje e tekeve politike.
“Korrupsioni dhe krimi i organizuar transnacional vazhdojnë të kërcënojnë përparimin dhe stabilitetin rajonal të Kosovës dhe fqinjëve të saj. Kjo është arsyeja pse presidenti Biden ndërmori hapa përmes Thesarit për vendosjen e sanksioneve për t’iu kërkuar llogari individëve të sanksionuar. Partnerët tanë evropianë dhe ne shqetësohemi kur institucionet kosovare i kanë shpërfillur vendimet e vlefshme të gjykatës. Sundimi i ligjit nuk duhet të jetë çështje e tekeve politike. Ka kaluar koha kur Kosova është dashur të demonstrojë se i respekton institucionet e veta të pavarura të drejtësisë duke siguruar që vendimet e tyre të zbatohen plotësisht. Megjithatë unë përfundimisht janë optimist për të ardhmen tuaj”, theksoi ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh se janë të angazhuar në forcimin e mekanizmave që parandalojnë dhunën në familje, derisa theksoi se reforma në drejtësi është ndër prioritet kryesore të kësaj qeverisjeje.
Ajo foli për reformat në sistemin prokurorial, dhe nismat tjera ligjore që kanë ndërmarrë për sundimin e ligjit.
Muajin e ardhshëm ajo e konsideroi si të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë pasi do të bëhet i ditur opinioni i Komisionit të Venecias për procesin e vettingut.
“Si shoqëri përballemi ende me fenomenin e dhunës në familje, qoftë të dhunës fizike, psikike, seksuale dhe materiale. Ne ndaj këtyre fenomeneve po angazhohemi që të forcojmë mekanizmat që parandalojnë këtë formë të dhunës dhe që veprimet e tilla të dënohen. Nëpërmjet strategjinë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave për vitin 2022-2026 kemi paraparë veprime dhe masa konkrete për parandalimin e këtyre dukurive përfshirë edhe përmirësimin e shoqërisë në këtë drejtim”, theksoi ajo.
Në forumin e sotëm “Fol Hapur” kishte të pranishëm edhe studentë dhe pjesëtarët të tjerë të shoqërisë civile./KP