Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur besimin se aleanca do të vendosë të pranojë me shpejtësi Suedinë dhe Finlandën. Por, deklarata e zotit Erdogan sugjeron se rrugëtimi i këtyre dy vendeve nuk do të jetë i lehtë.
Miratimi nga Turqia është i rëndësishëm pasi NATO-ja i merr vendimet me konsensus. Secili prej 30 vendeve anëtare mund të vendosë veton kundër anëtarësimit të një vendi të ri.
Qeveria e zotit Erdogan mendohet se do ta shfrytëzojë aplikimin e dy vendeve për të marrë konçesione dhe garanci nga aleatët.
Në vazhdim i hedhim një vështrim pozicionit të Turqisë, përfitimeve që ajo mund të marrë, por edhe pasojave që mund të ketë.
ÇFARË PROBLEMI KA TURQIA ME DY APLIKIMET PËR ANËTARËSIM?
Turqia, vendi që ka ushtrinë e dytë për nga madhësia në NATO, ka qenë tradicionalisht në mbështetje të zgjerimit të NATO-s, me besimin se politika e dyerve të hapura forcon sigurinë evropiane. Turqia është shprehur p.sh. në favor të një perspektive anëtarësimi për Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
Kundërshtitë e zotit Erdogan për Suedinë dhe Finlandën burojnë nga pakënaqësitë e Turqisë me Stokholmin – dhe më pak me Helsinkin – për mbështetjen që mendon se i jep Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e shpallur e jashtëligjshme në Turqi, si dhe grupit të majtë ekstremist DHKP-C, dhe mbështetësve të klerikut mysliman me qëndrim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, për të cilin Ankaraja thotë se orkestroi puçin e dështuar ushtarak në vitin 2016.
Shumë kurdë dhe azilantë të tjerë kanë gjetur strehë në Suedi gjatë dekadave të fundit. Atyre iu janë shtuar rishtazi edhe anëtarët e lëvizjes Gulen. Sipas mediave shtetërore turke, Suedia dhe Finlanda kanë refuzuar ekstradimin e 33 personave të kërkuar nga Turqia.
Ankaraja, e cila shpesh i akuzon vendet aleate se mbyllin sytë ndaj shqetësimeve të saj të sigurisë, është zemëruar edhe nga kufizimet e vendosura ndaj shitjes për Turqinë të paisjeve ushtarake. Kufizimet u vendosën nga vendet e BE-së, ndër to edhe Suedia dhe Finlanda, pas operacionit ushtarak të Turqisë në Sirinë veriore në vitin 2019.
Duke justifikuar më tej kundërshtimin e tij, zoti Erdogan thotë se vendi i tij nuk duhet të përsëri “gabimin” që bëri Ankaraja kur ra dakort të ripranohej Greqia në strukturën ushtarake të NATO-s, në vitin 1980. Ai thotë se kjo i mundësoi Greqisë “të mbante një qëndrim kundër Turqisë” me mbështetjen e NATO-s.
ÇFARË MUND TË PËRFITOJË TURQIA?
Mendohet se Turqia do të përpiqet të negociojë një marrëveshje kompromisi, sipas së cilës dy vendet do të godisnin PKK-në dhe grupet e tjera, në shkëmbim të mbështetjes së Turqisë për anëtarësimin e tyre në NATO. Një kërkesë kryesore pritet të jetë që ato të ndalin çdo lloj mbështetjeje për një grupim të kurdëve sirianë, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG). Ata janë aleatë të Perëndimit në luftën kundër grupit Shteti Islamik në Sirinë veriore, por Turqia i percepton si një zgjatim i PKK-së.
Zoti Erdogan mund të përpiqet gjithashtu që ta përdorë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës për të marrë konçensione nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë. Turqia kërkon të bëhet sërish pjesë e programit të avionëve ushtarakë F-35 që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara. Ajo u përjashtua nga programi pasi bleu sistemet ruse të mbrojtjes me raketa S-400. Nëse nuk bëhet dot pjesë e programit për avionët F-35, Turqia dëshiron të blejë një seri të re avionësh luftarakë F-16 për të përmirësuar forcat e saj ajrore.
Kërkesat e tjera mund të përfshijnë dhënien fund të një embargoje jozyrtare ndaj armatimeve që aleatët i shesin Turqisë; konçensione nga vendet anëtare të BE-së për aplikimin e pasuksesshëm të Turqisë për anëtarësim; si dhe fonde të mëtejshme për ta ndihmuar vendin që të mbështesë 3.7 milionë refugjatët sirianë.
SI NDIKON KJO TEK IMAZHI I TURQISË NË PERËNDIM?
Kërcënimi i Turqisë se do të vendosë veton ka gjasa të dëmtojë pozitën e saj në Uashington dhe në të gjitha vendet e NATO-s, duke përforcuar imazhin e një vendi që po bllokon zgjerimin e aleancës për përfitime për veten. Me një lëvizje të tillë, Turqia rrezikon gjithashtu të zhbëjë imazhin që fitoi duke furnizuar Ukrainën me dronët luftarakë Bayraktar TB2, të cilët u bënë një armë efikase kundër forcave ruse.
“Turqia do të shihet si një vegël e Putinit brenda NATO-s”, thotë Soner Cagaptay, ekspert për Turqinë në Institutin Washington. “Nuk do mbajë mend njeri kundërshtimet për shkak të PKK-së. Të gjithë do të përqëndrohen tek fakti që Turqia po bllokon zgjerimin e NATO-s. Do të prishë imazhin e Turqisë në NATO”.
Zoti Cagaptay thotë se pengesat që ngre Turqia mund të prishin edhe tendencën pozitive që kishte filluar të krijohej në Uashington për shitjen e avionëve F-16. “Nuk e shikoj se si do të realizohej kjo shitje tashmë”, thotë ai.
A PO PËRPIQET TURQIA TË QETËSOJË RUSINË?
Turqia ka krijuar marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe me Ukrainën dhe është përpjekur t’i ruajë të balancuara këto lidhje. Turqia nuk i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë, ndërkohë që e mbështet Ukrainën me dronët që ia ndaluan Rusisë të fitojë superioritetin në ajër.
“Fakti që Erdogani po e devijon qëllimisht procesin (e NATO-s) sugjeron se ndoshta po përpiqet të balancojë mbështetjen e fortë ushtarake që Turqia i ka dhënë Kievit, me mbështetje politike për Rusinë”, thotë zoti Cagaptay.
Një tjetër politikan kryesor turk ka shprehur shqetësimin se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë mund të provokojë Rusinë dhe mund të ushqejë më tej luftën në Ukrainë. Devlet Bahceli, udhëheqës i një partie nacionaliste aleate me zoti Erdogan, tha se opsioni më i mirë do të ishte që dy vendet nordike të liheshin “në pritje në paradhomë”.
A MUND TË NDIKOJË KJO TEK POZITA E ERDOGANIT BRENDA VENDIT?
Udhëheqësi turk po përjeton një rënie të mbështetjes në vend për shkak të ekonomisë së dobët, inflacionit shumë të lartë dhe krizës së shtrenjtimit të jetesës.
Një ngërç me vendet perëndimore për shkak të çështjes emocionale të ndihmës që mendohet se i jepet PKK-së, mund ta ndihmojë zotin Erdogan të rrisë mbështetjen që gëzon dhe të bashkojë votat nacionaliste përpara zgjedhjeve që janë planifikuar të zhvillohen në qershor 2023.
“Me një mbështetje të lëkundur brenda vendin, në një kohë kur Turqia po hyn në një cikël jetik elektoral, Erdogani kërkon një profil më të lartë ndërkombëtar, në mënyrë që t’i demonstrojë rëndësinë e tij globale votuesve turq”, shkruajti analistja Asli Aydintasbas në një artikull të publikuar në Këshillin Evropian mbi Marrëdhëniet me Jashtë./VOA